Telegrafi

KEK dhe PTK nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

Kjo është marrëveshja e dytë e bashkëpunimit që nënshkruhet brenda pak muajsh në mes të dy kompanive më të mëdha publike në Kosovë.

“Marrëveshja e nënshkruar sot i ndihmon të dy palët që të kursejnë para dhe kohë gjatë kryerjes së aktiviteteve të përbashkëta dhe shfrytëzimit të infrastrukturës së ndërsjellë”,ka deklaruar drejtori Haxha.

PTK dhe KEK në muajin maj kishin nënshkruar marrëveshjen për investime të përbashkëta në interesin e të dy kompanive, ndërsa marrëveshja e sotme zgjeron dukshëm fushën e aktiviteteve.

“Me anë të këtyre marrëveshjeve ne po praktikojmë zotimin tonë për shërbime sa më efikase ndaj qytetarëve të Kosovës dhe ruajtjen në maksimum të pasurive publike, pjesën më të madhe të të cilave e reprezentojnë KEK-u dhe PTK-ja”, tha Gjukaj.

Në bazë të Memorandumit të bashkëpunimit, PTK do t’i mundësojë KEK-ut shfrytëzimin e hapësirave, burimeve alternative të energjisë elektrike dhe kapaciteteve të veta telekomunikuese. Ndërsa, KEK do t’i mundësojë PTK-së shfrytëzimin e infrastrukturës transportuese (shtyllave dhe largpërçuesve) në tërë territorin e Kosovës për nevojat e rrjetave telekomunikuese.

Gjithashtu, të dy kompanitë para fillimit të realizimit të çdo projekti për të cilën është interesi i përbashkët, kompania bartëse e projekti ta informojë palën tjetër, me qellim të bashkëngjitjes për realizim të projektit.

Gjukaj dhe Haxha janë dakorduar që të shikojnë mundësinë e rritjes së bashkëpunimit edhe në të ardhmen. Kjo do të bëhet për rritjen e vazhdueshme të vlerës së aseteve të dy korporatave më të mëdha në vend, me synimin e vetëm që të përfitojnë të gjithë qytetarët e Kosovës.

Të dy kompanitë kanë shënuar rritje të vazhdueshme gjatë viteve të fundit. /Telegrafi/