Site icon Telegrafi

KEK: Blloku B ka rënë për shkak të problemeve teknike

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), ka njoftuar se rënia e bllokut B të Termocentralit “Kosova B” është bërë për shkak të intervenimeve të domosdoshme teknike. Zyrtarët e korporatës së vetme që prodhon rrymë në vend kanë thënë se për rënien e kanë njoftuar me kohë KEDS-in.

“Në këtë vijë, sot në mëngjes, më 5 janar 2016, me qëllim të ndërmarrjes së disa intervenimeve të domosdoshme teknike, KEK-u ishte i detyruar të ndal njësinë B1 të Termocentralit ‘Kosova B’. Për këtë ndalje, konform praktikave standarde të veprimit që zbatohen në raste të tilla, në mënyrë që të mundësojë ndërmarrjen e hapave adekuat, KEK-u ka informuar KEDS/KESCO, që ka përgjegjësi dhe menaxhon me import dhe eksport të energjisë, para se të ndalet njësia në fjalë që mbrëmë më 4 janar 2015. Me këtë rast, pritet, që punët e parapara gjatë kësaj ndalese të kryhen me një dinamikë të shtuar dhe njësia B1 të kthehet në punë nesër”, është thënë në njoftimin e KEK-ut për media transmeton Telegrafi.

Po ashtu në komunikatë theksohet se pas ndërmarrjes së hapave të suksesshëm të riparimeve kapitale që u bënë në vitin 2014, edhe pse të ballafaquar me sfidat e moshës së stabilimenteve, gjatë periudhës së kaluar, prodhimi i energjisë elektrike nga njësitë gjeneruese të Termocentralit “Kosova A” dhe Termocentralit “Kosova B” ishte shumë i qëndrueshëm, duke tejkaluar planin e aprovuar. “Fal kësaj përformance të njësive të termocentraleve ekzistuese, KEK-u ka arritur të stabilizojë përfundimisht prodhimin duke tejkaluar gjatë vitit 2015 kërkesën për konsum për energji elektrike në nivel vendi”.
Duke punuar me stabilimente, operimi të cilave është shume i pa parashikueshëm, duke bartur barrën e stabilitetit te sektorit të energjisë në Kosovë, KEK-u, në vazhdimësi, është duke eliminuar të gjitha pengesat potenciale duke ndërmarrë të gjitha veprimet për prodhim të qëndrueshëm, që t’i mundësojë furnizuesit publik (KEDS/KESCO) furnizim te qëndrueshëm.

Në këtë rast, KEK-u falënderon për mirëkuptim, të gjitha palët e ndërlidhura që mund të jenë të afektuar./Telegrafi/

Exit mobile version