Telegrafi

KEK aftëson inxhinierët e ardhshëm

Duke thelluar bashkëpunimin afatgjate te vendosur tash e disa vite me pare, Korporata Energjetike e Kosovës së bashku me Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të UP-së (FIEK) ka nënshkruar marrëveshjen për aftësimin praktik profesional dhe akademik të studentëve te nivelit te larte te FIEK-ut.

Synimi i bashkëpunimit te arritur përmes kësaj marrëveshje, është ngritja e kapaciteteve profesionale dhe përgatitja e stafit akademik, te kuadrit të lëmisë së inxhinierisë elektrike, për përmbushjen e nevojave afatmesme, jo vetëm në KEK por edhe në tregun e përgjithshëm të punës në Kosovë.

Përndryshe këtë vit akademik, studentet e nivelit të lartë të studimeve në FIEK do të zhvillojnë punën praktike profesionale në stabilimentet dhe pajisjet e KEK-ut.

Në këtë rast, studentët nën mbikëqyrjen e vazhdueshme profesionale të personelit të specializuar të KEK-ut do të kalojnë një program të avancuar të punës praktike profesionale që është dizajnuar sipas kurrikulës akademike me 6 ETCS kredi dhe ka një kohëzgjatje prej së paku 120 orëve të punës. /Telegrafi/