Telegrafi

KEK, 157 milionë euro borxh Qeverisë

Në raportin e shpenzimeve të Qeverisë për vitin 2010, që e ka përgatitur Ministria e Financave (MF), borxheve të KEK-ut u është kushtuar një aneks në vete. Aty, duke ia mbledhur krejt paratë që ia dha Qeveria kësaj ndërmarrjeje publike që nga viti 2005, është bërë edhe një përshkrim i përgjithshëm i kthimit të tyre, por në raport nuk u ka “dalë punë” që të shkruan numra për këtë. Kjo pasi që KEK-u, nga baza e kredisë që ia dhe Qeveria nuk e ka kthyer deri më tash asnjë cent, shkruan Zëri

Zëdhënësi i kësaj korporate, Viktor Buzhala, thotë se KEK-u ka një plan për kthimin e këtyre parave, por nuk zbulon se si do të bëhet kjo. “Po, kjo është kredia e marrë nga buxheti i Kosovës për investime kapitale. KEK-u jo vetëm që e ka plan, por është duke i kthyer këto mjete në bazë të marrëveshjes dhe kushteve të kreditimit, ku llogaritet edhe kamata përkatëse në kushtet e tregut”, thotë Buzhala.

Edhe pse në raportin vjetor të shpenzimeve, publikuar nga MF, thuhet që KEK-u nuk ka kthyer ende asgjë nga shuma 157.5 milionë euro që ua ka borxh Qeverisë, Viktor Buzhala nga KEK-u thotë se kthimi i parave është duke ndodhur.

Në këtë raport të Ministrisë së Financave, te pjesa që flet për interesat e inkasuara nga huazimi i parasë publike, vlera e të cilave ishte 11.7 milionë euro, KEK-ut i përshkruhen mbi 5.3 milionë euro të inkasuara si interes nga kreditë, mirëpo raporti në fjalë është ende i paaudituar. /Telegrafi/