Telegrafi

KEDS vendos rrjet nëntokësor në qendër të Vitisë

Tashmë sheshi qendror i Vitisë furnizohet me rrjet nëntokësor, që ka zëvendësuar furnizimin nga 9 shtylla, që ishin rrezik i përhershëm për qytetarët. Nga investimet vetëm në qendër të këtij qyteti, kanë përfituar mbi 500 konsumatorë
KEDS ka vendosur në Qendër të Vitisë kabllot nëntokësore. Kjo mundëson që në sheshin qendror të këtij qyteti tashmë furnizimi me energji elektrike të bëhet përmes rrjetit modern. Ky investim prej rreth 40 mijë eurosh në infrastrukturën nëntokësore, ka rritur sigurinë e furnizimit, sikurse kualitetin e shërbimeve.

“Në Viti te sheshi apo qendra kryesore e qytetit e kemi eliminuar furnizimin nga 9 shtylla të drurit, që kanë qenë në gjendje të rëndë dhe me përçues të zhveshur ajror, që kanë paraqitur rrezik të përhershëm për qytetarët e asaj zone”, thotë Besnik Ferati, inxhinier mbikëqyrës.

Për të mos bërë hapje të kanaleve të reja, KEDS i ka shfrytëzuar me këtë rast një pjesë të madhe të kanaleve ekzistuese, duke mos krijuar rrëmujë dhe duke ruajtur infrastrukturën.

Investimet janë pritur mjaft mirë edhe nga qytetarët e kësaj komune. “Furnizimi me kabllo nëntokësore ka qenë domosdoshmëri e kohës për qytetin tonë. Investimet e tilla që eliminojnë rreziqet, janë të mirëseardhura dhe po na rrisin edhe kualitetin e jetës”, tha Astrit Krasniqi, kalimtar i rastit.
Por, pos sheshit qendror, KEDS ka rinuar rrjetin edhe në pjesët tjera të qendrës së këtij qyteti, duke bërë që pjesa kryesore të ketë tjetër pamje. “Vetëm në qytetin e Vitisë është bërë ndërrimi i rrjetit për mbi 500 konsumatorë. Janë vendosur 73 shtylla dhe rreth 8 kilometër kabllo”, tha ai.

Edhe mirëmbajtja e rrjetit është më e lehtë dhe më efikase. “Esenciale për këtë projekt ka qenë siguria e qytetarëve, rritja e cilësisë së furnizimit me energji elektrike dhe mirëmbajtja më e lehtë në të ardhmen nga ekipet përgjegjëse të rrjetit, duke i zhvendosur me këtë rast të gjitha rrjetet ekzistuese që kanë kaluar nëpërmjet oborreve të konsumatorëve dhe vendosja e rrjeteve të reja nëpër rrugica, gjegjësisht nëpër lagjet e banorëve që jetojnë këtu”, tha Ferati. /Telegrafi/