Telegrafi

KEDS ua rrit pagat punëtorëve

Falë vullnetit të dyanshëm për të bërë ndryshime pozitive dhe për të respektuar të drejtat dhe liritë e të gjithë punëtorëve në KEDS dhe KESCO, pas një procesi të ndërmjetësimit dhe të negociatave, zyrtarët e menaxhmentit të KEDS nënshkruan marrëveshjen bashkëpunimi dhe për ngritje të pagave me Sindikatën e Pavarur të Punëtorëve “Elektrokosova”.

Marrëveshja u nënshkrua pas respektimit të të gjitha rregullave dhe procedurave të parapara me kornizën ligjore në Republikën e Kosovës.

Pas një procesi të ndërmjetësimit, ashtu edhe siç është e paraparë me ligjin në Kosovë, u arrit marrëveshja për ngritje të pagave të punëtorëve. Kjo ngritje e pagave nuk do të reflektojë në tarifat aktuale të energjisë në Republikën e Kosovës, por do të mbulohet financiarisht nga KEDS dhe KESCO.

Kohë më parë, pas pranimit të kërkesave nga Sindikata, falë vullnetit të KEDS dhe KESCO, u implementua kërkesa për ngritje të pagave. Me anë të marrëveshjes së nënshkruar mund të konkludohet se kjo kërkesë e punëtorëve përmes Sindikatës, të vetmit organ legjitim të përfaqësimit të punëtorëve, është plotësuar.

“Kemi insistuar për plotësimin e të gjitha kërkesave dhe kemi hasur në mirëkuptim nga menaxhmenti i KEDS. Fatmirësisht, kemi arritur marrëveshjen për ngritjen e pagave për numrin me të madh të punëtorëve brenda kompanive KEDS dhe KESCO. Për pikat tjera mbetet të diskutohet me menaxhmentin e KEDS dhe KESCO dhe shpresojmë në mirëkuptim dhe realizim të këtyre kërkesave sikurse të kërkesës së parë. Tanimë jemi të vetëdijshëm që na pret shumë punë për të bërë me qëllim të ofrimit të shërbimeve sa më të mira për konsumatorë derisa do të vazhdojmë të përfaqësojmë denjësisht të gjitha kërkesat e punëtorëve duke bashkëpunuar me menaxhmentin e KEDS dhe KESCO”, deklaroi Fehmi Pajaziti, Kryetar i SPPE.

KEDS dhe Sindikata e Pavarur e Punëtorëve “Elektrokosova” edhe njëherë konfirmojnë vullnetin për diskutim dhe për arritje të rezultateve për të gjitha çështjet në interes dhe dobi të punëtorëve. /Telegrafi/