Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka bërë të ditur se për shkak të erërave të forta që sot në mëngjes kapluan një pjesë të konsiderueshme të Kosovës, janë shkaktuar disa dëme në rrjetin elektro-energjetik, si në largpërçues dhe në shtylla elektrike.
Sipas një njoftimi të tyre thuhet se si rrjedhojë, edhe disa dalje 10kV kanë mbetur jashtë funksionit.
Ndërkaq, siç bëjnë të ditur nga KEDS-i, rajonet më të prekura janë Peja, Mitrovica, Prishtina dhe Ferizaj.
“Ekipeve të KEDS-it të këtyre rajoneve u kanë shkuar për ndihmë edhe ekipet e rajoneve të tjera, në mënyrë që të sanohen dëmet sa më shpejt që është e mundur. Kërkojmë mirëkuptimin e konsumatorëve tanë dhe shpresojmë se në një afat sa më optimal t’u kthehet furnizimi i rregullt me energji elektrike”, thuhet në njoftimin e tyre. /Telegrafi/