Site icon Telegrafi

KEDS tregon arsyet e reduktimit të rrymës

Mungesa e prodhimit vendor të rrymës dhe importi e është duke shkaktuar reduktimin e saj, kështu ka thënë zëdhënësi i Kompanisë për Distribuim dhe Furnizim me Energji elektrike (KEDS), Viktor Buzhala.

Buzhala për Telegrafin ka thënë se prodhimi vendor nuk po i mbulon konsumin e energjisë elektrike të kërkuar dhe për këtë ka reduktime të saj.

“Për momentin jemi duke u ballafaquar me mungesë të energjisë elektrike. Nga prodhimi vendor po arrihet të prodhohen më pak se 400 MW që nuk arrin të mbulojë as 50 për qind të konsumit. Ne jemi duke importuar të gjithë energjinë që po mund ta gjejmë në treg dhe po e blejmë atë me një çmim shumë të lartë, rreth 100 deri 120 EURO për MW. Kjo është katër herë më e shtrenjtë se rryma që prodhohet në vend. Këto çmime të larta kanë ndikim në çmimin e rrymës për konsumatorë. Në këtë situatë, për të balancuar sistemin jemi të detyruar që të aplikojmë ndërprerje duke bërë përpjekje maksimale që konsumatorët të afektohen sa më pak”, tha për Telegrafin, Buzhala.

Ai kërkon nga konsumatorët që të bëjnë kursimin e energjisë elektrike për të tejkaluar këtë situatë.

“Ne u bëjmë thirrje të gjithë konsumatorëve që të kursejnë energjinë për aq sa munden në mënyrë që ta tejkalojmë këtë situatë vështirë”, tha ai.

Lexo po ashtu Kryeministri Haradinaj: KEDS dhe KEK nuk janë në gjendje t’i realizojnë detyrat e veta

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar pas reduktimeve të energjisë elektrike, duke thënë se është zhgënjyese dhe e pa tolerueshme sjellja KEDS dhe KEK në ditët e para të dimrit, duke i shtyrë qytetarët të përballen me reduktime të energjisë elektrike.

Haradinaj në profilin e tij zyrtar në Facebook ka thënë se është i papranueshëm fakti, që KEDS dhe KEK nuk janë në gjendje t’i realizojnë detyrat e veta.

“Zhgënjyese dhe e pa tolerueshme sjellja KEDS dhe KEK në ditët e para të dimrit, duke i shtyrë qytetarët të përballen me reduktime të ashpra të energjisë elektrike. I papranueshëm fakti, që KEDS dhe KEK nuk janë në gjendje t’i realizojnë detyrat e veta”, ka shkruar Haradinaj.

I pari i ekzekutivit ka kërkuar që të sigurohet energji elektrike për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Menaxhmenti i KEDS dhe KEK duhet ta dinë se Qeverisë së Kosovës dhe qytetarëve të saj nuk u intereson se cili njësit është funksional e cili jo dhe as nuk i intereson se cili është çmimi i energjisë në tregun ndërkombëtarë. Drejtues të KEK dhe KEDS e kanë për obligim dhe janë të thirrur të sigurojnë energji elektrike për të gjithë qytetarët e Kosovës. Nuk pranojmë asgjë më pak!”, ka shkruar ai. /Telegrafi/

Exit mobile version