KEDS-i përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se një objekt i ri (nënstacion) ka zënë shtat në hyrje të Zhurit të Prizrenit.
Sipas njoftimit aty janë vendosur stabilimentet e fjalës së fundit të teknologjisë për të furnizuar mbi 15 mijë konsumatorë të asaj ane.
Siç thuhet në njoftim, nënstacioni 35kV do të ketë edhe kapacitete të dyfishuara, pasi nga një trafo, do të bëhen dy të tilla gjigante.
“Ato parashihet të jenë të mjaftueshme për të përballuar secilën kërkesë për energji elektrike në atë pjesë. Kontejnerët e vendosur vite më parë në fshatin më të madh të Kosovës, do të jenë relikt i kohës. KEDS, pajisjet e vjetra që i trashëgoi të vendosura aty, po i zëvendëson me kthina e stabilimente të reja në objektin modern, ku ka të instaluar edhe SCADA-n, sistem me komandim nga distanca”, thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim bëhet e ditur se nënstacioni i ri do të ndikojë direkt në zvogëlimin e avarive, do të mundësojë operim të sigurt me pajisjet energjetike të nënstacionit dhe do të krijojë mundësinë e sigurt në operim.
“Linja 35 kV e Zhurit ka qenë një ndër daljet më problematike të KEDS, mirëpo me investimet e reja konsumatorëve tanë atje do tu ofrohet siguri në furnizim të qëndrueshëm. Para 2 vjetësh kompania kishte dyfishuar kapacitetet e linjës 35kV nga Zhuri në Dragash, duke rregulluar njëherë e mirë një nga pjesët më problematike, komplet në terren të thyer malor”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Ndërkaq, sipas njoftimit këto investime të KEDS në nënstacione të reja janë jetësim i përkushtimit të KEDS-it që të jetë sa më afër konsumatorëve dhe të përmirësojë në vazhdimësi shërbimet për ta. /Telegrafi/