Telegrafi

KEDS planifikon investime prej 300 milionë eurove deri në vitin 2025

KEDS prezantoi sot Planin zhvillimor të rrjetit të shpërndarjes në Kosovë, duke e ditur se energjia mundëson zhvillimin ekonomik dhe është e domosdoshme për çdo amvisëri, gjë që lartëson rëndësinë e këtij prezantimi. Kështu u tha në një konferencë për medie.

Prezantimi parasheh në detaje investimet në secilën lagje të secilit lokalitet. Po ashtu, plani zhvillimor paraqet periudhën e investimeve për vitet 2016-2025.

Drejtori menaxhues i KEDS-it, George Karagutoff duke folur për planin, tha se deri në vitin 2025 do të investohen deri në 300 milionë euro, me 1 mijë e 700 transformatorë të rinj, 2 mijë kilometër linja të reja, tensioni i nivelit do të bëhet standard, do të punohet në reduktim të humbjeve teknike prej 15 për qind në 9 për qind, do të ketë ndërprerje minimale në rrjet, kualitet më i lartë teknik dhe rrjet i qëndrueshëm.

E, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, tha se ky program i zhvillimit të KEDS dhe shumë fusha të tjera kanë rëndësi për zhvillimin ekonomik. Ai tha se energjia është parakusht për zhvillimin ekonomik dhe të bizneseve. /Telegrafi/