Telegrafi

KEDS mbron mbi 350 transformatorë nga rrufetë

Mbi 350 trafove anekënd Kosovës nuk do t’u digjen më transformatorët nga rrufetë. Ata janë siguruar pas vendosjes së 1065 shkarkuesve katolikë, që janë vendosur gjatë gjithë muajit, duke e rritur sigurinë e furnizimit me energji elektrike.

“Tashmë transformatorët janë shumë më të sigurt. Më herët ka pasur mjaft raste kur janë djegur nga faktorët atmosferikë gjatë motit të keq”, tha Armend Ymeri, Menaxher i Departamentit të Mirëmbajtjes në KEDS. Kjo bënte që shumë konsumatorë të mbesnin pa energji elektrike. Por, gjendja e trashëguar nga periudha para privatizimit tashmë është sanuar dhe transformatorët janë në gjendje shumë më të mirë.

Ekipet e mirëmbajtës kanë rritur edhe më shumë sigurinë e furnizimit me energji. “Gjatë janarit janë montuar 629 izolatorë të tensionit të mesëm dhe të ulët. Ata do të kenë ndikim shumë të madh në evitimin e prishjeve që ndodhin si pasojë e lidhjeve të shkurtra”, tha Ymeri.
Kjo nuk është puna e vetme që ka bërë ekipi i mirëmbajtjes në këtë fillim të vitit. “Gjatë janarit kemi ndërruar edhe 45 ormanë që ishin në gjendje të rëndë dhe paraqisnin rrezik potencial për qytetarët”, tha Ymeri.

KEDS gjatë 30 ditëve të para të vitit ka ndërruar qindra shtylla të tensionit të mesëm dhe të ulët, sikurse mijëra metra kabllo të dy niveleve të tensionit. Janë ndërruar edhe qindra pajisje të tjera, që kanë ndikim direkt në rritjen e cilësisë së shërbimeve. Nga këto intervenime përfitues janë mijëra qytetarë. Intervenime të tilla KEDS është duke i bërë çdo ditë dhe tregon seriozitetin e kompanisë për të qenë sa më afër konsumatorëve. /Telegrafi/