Telegrafi

KEDS-i thotë se erërat kanë shkaktuar 100 prishje brenda ditës

Erërat e forta dhe të reshurat që kanë përfshirë vendin nga dita e premte shkaktuan shumë prishje në rrjetin e distribuimit të energjisë elektrike.

Sipas KEDS-it, vetëm gjatë ditës së premte, rreth 100 prishje kanë qenë në linjat e tensionit të mesëm, ndërsa numri i prishjeve në nivelin e tensionit të ulët ka qenë edhe më i madh.

Prishje të shumta kane pasuar edhe gjate vikendit. Sipas informatave nga terreni, si pasojë e këtyre kushteve te renda atmosferike janë shkaktuar edhe dëme në shtëpi dhe objekte tjera.

“Falë vullnetit të pashoq dhe përkushtimit maksimal të ekipeve tona në terren, si dhe mobilizimit të ekipeve shtesë në këtë situatë të krijuar emergjente, ne arritëm rekordin e radhës duke rregulluar më se 90 për qind të prishjeve brenda më pak se 24 orë”, thuhet në njoftim.

Fatkeqësisht, sipas KEDS, prishjet janë të vazhdueshme sidomos në zona malore, madje në disa intervenimi është i pamundur për shkak të motit të ligë dhe pamundësisë së transportit të pajisjeve. Në disa raste edhe qasja për individë është e pamundur për shkak të bllokimit të rrugëve.

KEDS-i kërkon nga të gjithë qytetarët të lajmërojnë prishjet në Qendrën e Thirrjeve të KEDS, (në telefonat 038 501 701 1000; 038 791 000), me qëllim që intervenimi të bëhet në kohën sa më të shkurtër.