Site icon Telegrafi

KEDS-i na faturon rrymën e serbëve të veriut

Rreth 7 milionë euro energji elektrike, që shpenzohet nga serbët në pjesën veriore të Kosovës, po u faturohet qytetarëve të tjerë që paguajnë me rregull faturat e energjisë elektrike.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE) ka aprovuar kërkesën e KEDS-it që energjia elektrike që shpenzohet në veri të trajtohet si humbje komerciale, e cila më pas në mënyrë proporcionale u ndahet të gjithë klientëve të kësaj kompanie private.
Gazeta “Zëri” ka mësuar se nga totali i energjisë, 5.3 për qind shpërndahet në veri të Kosovës. Në KEDS nuk e kanë mohuar direkt që humbjet e shkaktuara në veri të Kosovës po ua faturojnë konsumatorëve të tjerë.

Ndërkohë, indirekt një gjë të tillë e ka pohuar Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE). Adelina Murtezaj-Bajrami, zyrtare për Marrëdhënie me Publikun, ka thënë se ZRRE-ja është e obliguar që të njohë një pjesë të humbjeve të KEDS-it, në mënyrë që të mundë të mbulojnë koston e operimit dhe të jetë financiarisht e qëndrueshme, me qëllim që të mundë t’ju ofrojnë shërbime të duhura konsumatorëve të energjisë elektrike.

“Sa i përket kostove të mosinkasimit në veri të vendit, duke ditur se ky problem është problem politik dhe ndërmarrjet e energjisë nuk mund të ndikojnë në të, ZRRE-ja është e obliguar që t’ua njohë një pjesë të humbjeve që u shkaktohen këtyre ndërmarrjeve, në mënyrë që ndërmarrjet të mundë të mbulojnë kostot e tyre të operimit dhe të jenë financiarisht të qëndrueshme, me të vetmin qëllim që të mundë t’u ofrojnë shërbime të duhura konsumatorëve të energjisë elektrike”, ka thënë Murtezaj-Bajrami. /Zëri/Telegrafi/

Exit mobile version