Telegrafi

KEDS elektrifikoi palestrën sportive në Obiliq

KEDS ka vendosur në afat rekord trafon e re dhe të gjitha pajisjet e tensionit të lartë dhe të ulët në mënyrë që palestra sportive e Obiliqit të furnizohet me energji elektrike

KEDS ka vendosur trafon dhe të gjitha pajisjet përcjellëse në palestrën sportive të Obiliqit. Kjo është bërë me qëllim të energjizimit të këtij objekti. Trafo dhe pajisjet e tensionit të lartë dhe atij të ulët deri te kyçja e palestrës sportive ishin bërë në një afat kohor prej tri ditësh.

Ekipet e KEDS-it ishin mobilizuar në mënyrë që palestra të ishte e gatshme për 28 Nëntor. “Ne kishim një kërkesë nga kryetari i komunës së Obiliqit Xhafer Gashi. Iu përgjigjëm ftesës pozitivisht dhe e vendosëm trafon në afat rekord”, tha Avni Alidemaj, Drejtor i Sistemit të Operimit në KEDS.

Kostoja e investimeve kap një shifër prej mbi 10 mijë euro dhe është një kontribut i drejtpërdrejtë i KEDS-it për zhvillimin e aktiviteteve sportive në këtë komunë. Një falënderim të veçantë ka shprehur edhe kryetari i komunës. “Një investim i tillë është i mirëseardhur, sepse mundësoi funksionalizimin e palestrës së re sportive që gjallëron jetën në komunën tonë. Ne jemi të përkushtuar që të ndërtojmë partneritet bashkëpunimi me KEDS-in”, tha kryetari Gashi.

Edhe KEDS ka shprehur gatishmërinë që të vazhdojnë ndërtimin dhe forcimin e partneritetit me të gjitha komunat e Kosovës, me qëllimin e vetëm, realizimin e projekteve të përbashkëta, ku përfitues janë direkt qytetarët e Kosovës.

Vendosja e trafos në palestrën e Obiliqit është në vazhdën e investimeve që po bën kompania në rrjetin e shpërndarjes. Sa i përket pajisjeve energjetike, vetëm gjatë muajve të fundit KEDS ka ndërruar dhjetëra trafo të mbingarkuara anekënd vendit. Paralelisht me to janë zëvendësuar qindra kilometra përçues dhe janë vendosur mijëra shtylla të betonit që kanë zgjeruar, përforcuar dhe modernizuar rrjetin e shpërndarjes.

Kjo ka bërë që mijëra konsumatorë të kenë shërbime më kualitative. Investimet në rrjet janë në vlugun më të madh dhe do të vazhdojnë tutje. Ato janë pjesë e zotimit të KEDS-it për investime të parashikuara nga kompania në shumën prej 110 milionë euro në pesë vitet e ardhshme dhe një shumë prej më shumë se 300 milionë euro në periudhën 15- vjeçare. /Telegrafi/