KEDS-i dënon fuqishëm sulmin ndaj Drejtorit të Rrjetit, Mehmet Koc, duke vlerësuar se ky sulm është mesazhi më i keq i mundshëm që mund të dërgojë Kosova te investitorët e huaj.
Sipas KEDS-it, Koc është sulmuar tinëzisht në hyrje të ndërtesës ku banon, për motive ende të panjohura.
“Sulmi ndaj punëtorëve tanë është i papranueshëm dhe i dënueshëm. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve kosovare që ta hetojnë këtë rast dhe të gjejnë personat përgjegjës të sulmit”, thuhet në reagimin e KEDS-it.
“Duhet të rikujtohet këtu se Limak dhe Calik, si kompani me renome në mbarë botën, janë ndër investitorët më të mëdhenj në Kosovë dhe për këtë kanë nevojë për ofrimin e sigurisë dhe mbështetjes nga autoritetet kosovare, sipas standardeve të shteteve evropiane”, thuhet tutje.
KEDS thotë se mbetet i përkushtuar që të ofrojë shërbimet e veta në mënyrën më cilësore për çdo konsumator të Kosovës pa asnjë diskriminim. /Telegrafi/