Ylli i filmave, Keanu Reeves ka thënë se është ‘zemërthyer’ për lajmin shkatërrues të vdekjes së Lance Reddick.
Dyshja që punuan së bashku në serinë e filmave John Wick të Chad Stahelski, krijuan një lidhje të fortë gjatë viteve.
“Ne jemi thellësisht të pikëlluar dhe zemërthyer për humbjen e mikut dhe kolegut tonë të dashur Lance Reddick”, thanë Reeves, 58 vjeç dhe regjisori Chad Stahelski në një deklaratë të përbashkët për Variety.
“Ai ishte profesionisti i përsosur dhe ishte kënaqësi për të punuar me të. Dashuria dhe lutjet tona janë me gruan e tij Stephanie, fëmijët, familjen dhe miqtë e tij”, shtuan tutje ata.
Dyshja tha se do t’i kushtojnë yllit tashmë të ndjerë “John Wick: Kapitulli 4”, i cili do të dalë në kinema më 23 mars, shkruan PageSix.
Aktori ishte i famshëm edhe për rolin e tij në serialin dramatik të suksesshëm “The Wire”.
Reddick u vlerësua si një nga më të mirët e Hollywoodit, me një filmografi mbresëlënëse dhe portofol të punës që dëshmojnë performancat e tij të fuqishme.
Në dhjetor 2021, Lance vlerësoi marrëdhënien e tij të punës me Reeves, duke e përshkruar yllin e “Matrix” si “dikë që është shumë bujar si aktor dhe bën gjithçka për punën”.
“Nga njëra anë ndihem sikur nuk e njoh shumë mirë, por nga ana tjetër, thjesht e adhuroj atë djalë. Ai është një qenie njerëzore kaq e mrekullueshme”, kishte deklaruar Reddick. /Telegrafi/