Hyrie Dobrunaj është kandidatja me të cilën Lidhja Demokratike synon të marrë pushtetin në Deçan. Ajo do të provojë të bëjë atë që Mal Lokaj nuk ia arriti më 2017.
LDK kandidatin në këto zgjedhje lokale e ka ndërruar edhe në Ferizaj. Pas Muharrem Svarçës, sivjet në këtë qytet kandidon me Sibel Halimin.
Luftën e votave edhe për një mandat nuk do ta bëjë Haki Rugova. LDK-në në Istog do ta përfaqësojë, Ilir Ferati.
Pasi para katër vjetësh, kryeqytetin nuk arriti ta marrë Arban Abrashi, këtë herë do të provojë ta bëjë me, Përparim Rama.
Nga emrat e publikuar deri tash, ndryshime në kandiatura ka bërë edhe Partia Demokratike, raporton Klan Kosova.
Kundërshtari i Ramës për Prishtinën, do të jetë Uran Ismaili.
Në Skenderaj ku para katër vjetësh PDK i lëshoi rrugë kandidatit të pavarur, Bekim Jashari, kësaj radhe ai në garë do të ketë ish kryetarin e këtij qyteti, Sami Lushtaku.
Drenasin, do të provojë ta mbajë edhe për një mandat me kreun e tanishëm, Ramiz Lladrovci.
Në Mitrovicë, aty ku më 2017 nuk arriti të triumfojë Valdete Idrizi, këtë herë synon ta bëjë Bedri Hamza.
VV synon t’ia marrë Gjakovën, Ardian Gjinit të AAK-së, me Mimoza Kusarin që në zgjedhjet e kaluara garoi me Alternativën.
Pa diçka zyrtare ende, në garën për Prishtinën, Vetëvendosjen pritet ta përfaqësojë, ministri aktual i Shëndetësisë, Arben Vitia. Postit të të parit të këtij qyteti, AAK kësaj radhe ia ka mësyrë me Daut Haradinajn, pasi më 2017 kandidat pati Arbër Vllahiun.
Krejt këto ndryshime emrash në luftën për pushtetin lokal, i shohin si të domosdoshme në Iniciativën për Progres.
Qëndrim Arifi nga Iniciativa për Progres, thotë se qëllimi kryesor i partive në sjelljen e risive është maksimalizimi i votës.
Megjithatë, ai e sheh shqetësues numrin e vogël të kandidateve femra për kryetare komunash.