Këshilli i Evropës (KE) u shpreh me shqetësim sot në lidhe me miratimin e një projektligji nga Polonia, që ka të bëjë me emërimin e gjyqtarëve nga pushteti ekzekutiv, një projekt i denoncuar nga opozita si një grusht-shtet.
”Ky tekst, paraqitur nga partia konservatore Ligj dhe Drejtësi (PiS), në pushtet në Varshavë, bie në kundërshtim me parimin për imunitetin e gjyqtarëve, që garanton pavarësinë e tyre dhe bën pjesë në normat e Këshillit të Evropës”, nënvizoi sekretari i përgjithshëm i organizatës panevropiane, Thorbjorn Jagland, në një letër drejtuar kryetarit të Dhomës së Ulët të Parlamentit polak, Marek Kuchcinski, raporton AFP.
Projekti, i publikuar javën e kaluar, parashikon që ditën e hyrjes në fuqi, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë të detyrohet të dalin në pension, me përjashtim të atyre që zgjidhen nga ministri i Drejtësisë.
Ministri do të ketë gjithashtu si detyrë të paraqesë kandidatët për postet e anëtarëve të ardhshëm të Gjykatës së Lartë.
“Një drejtësi efikase, e paanshme dhe e pavarur është themeli për çdo sistem kontrolli dhe balancat demokratike”, theksoi Jagland, i cili i kërkon Dhomës së Ulët të Parlamentit të respektojë normat e Këshillit të Evropës dhe të mos precipitojë për të shqyrtuar dhe miratuar këtë projekt të kundërshtuar.
”Këshilli i Evropës ka shprehur shqetësimin për një reformë të kohëve të fundit nga Këshilli Kombëtar i Magjistraturës polake, por mendimet e tij duket se janë injoruar gjerësisht”, shprehu me keqardhje Jagland.
Parlamenti polak miratoi disa ditë më parë një ligj që u jep deputetëve dhe ministrit të drejtësisë, fuqinë për të emëruar gjykatës, pa u konsultuar me organizmat gjyqësore.
Partitë opozitare dhe grupet e të drejtave të njeriut theksuan se ky vendim do të dëmtonte pavarësinë e gjyqësorit.
Por, sipas partisë qeverisëse ”Ligj dhe Drejtësi”, reformat janë të nevojshme, sepse gjyqësori në vend është i korruptuar dhe i shërben vetëm elitave.
Që prej kur mori pushtetin në vitin 2015, qeveria konservatore e partisë Ligj edhe Drejtësi, ka miratuar disa reforma kontradiktore, që kanë shkaktuar protesta popullore.