Komisioni Evropian propozon një ndihmë makro-financiare deri në 100 milionë euro për Maqedoninë e Veriut për të ndihmuar vendin lidhur me përkeqësimin e shpejtë të balancës së jashtme si rrjedhim i varësisë së lartë nga importet e karburantit dhe energjisë elektrike. Sipas ekzekutivit evropian, siç njofton “Klan” ndihma e propozuar do të kontribuojë në mbulimin e nevojave financiare të Maqedonisë së Veriut në vitin 2023 dhe 2024, duke mbështetur qëndrueshmërinë fiskale dhe reformat strukturore.
Komisioni Evropian nxjerr në pah, se Maqedonia e Veriut gjithashtu përballet me nevoja të mëdha për shlyerjen e borxhit të jashtëm në vitin 2023 në një kontekst sfidues kushtesh për financim.
Ndihma do të vijë në formën e kredive, që do të paguhen në dy këste. Por kjo ndihmë nuk vjen pa detyrime. Komisioni Evropian nënvizon, se këto dy pagesa do të kushtëzohen me zbatimin e masave të politikave, për të cilat nevojitet dakordësim midis Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian në një Memorandum Mirëkuptimi. Memorandumi i Mirëkuptimit pritet të fokusohet në reformat e politikave në fushat e qeverisjes fiskale, politikës tatimore, menaxhimit të investimeve publike, partneriteteve publiko-private, mjedisit të biznesit, transparencës në ndihmën shtetërore, efiçencës së energjisë, reformës në drejtësi dhe luftës kundër korrupsionit.
Propozimi i sotëm shoqëron një program mbështetjeje 24-mujore të përfunduar me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), deri në 530 milionë euro. Asistenca e KE-së do të kushtëzohet gjithashtu me një histori pozitive në zbatimin e programit të FMN-së. Me këtë propozim, ekzekutivi evropian dëshiron t’i qëndrojë vendit në krah për t’u përballur me pasojat e agresionit të Rusisë në Ukrainë dhe rikujton, se reformat e kërkuara do të mbështesin Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.