Telegrafi

KE-ja edhe 63.9 milionë euro për Kosovën

Paratë do të shpenzohen për përforcimin e sundimit të ligjit, qeverisjes, reformës së administratës publike, komuniteteve dhe arsimit, adresimin e çështjeve socio-ekonomike siç janë financat publike, zhvillimi ekonomik rajonal, përfshirë këtu infrastrukturën, bujqësinë dhe zhvillimin rural.

Ky program gjithashtu përqendrohet në përafrimin e legjislacionit dhe standardeve evropiane, përshirë këtu veterinarinë dhe sigurinë e ushqimit, reformat e sektorit të energjisë dhe mjedisin.

Komisioni Evropian dhe qeveria bashkërisht vendosin se cilat projekte do të financohen me këto mjete.

Shefi i Zyrës ndërlidhëse të KE-së Renzo Daviddi tha se tani kemi përmbushur plotësisht zotimin tonë nga konferenca e donatorëve e korrikut 2008. “Por më e rëndësishme është, se ne jemi siguruar se fondet e IPA-së janë shpenzuar në përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve të Kosovës”, theksoi Daviddi.

BE-ja ka ndarë gjithsej 565.1 milion euro për Kosovën për periudhën 2007 deri 2012. /Telegrafi/