Telegrafi

KE-ja 500 mijë euro për Komunën e Istogut

Komuna e Istogut ka përfituar një projekt kapital nga Komisioni Evropian (KE) në vlerë prej rreth 500.000 euro, në kuadër të thirrjes nga programi EURED për zhvillimin ekonomik.

Projekti që ka për qëllim zhvillimin dhe promovimin e potencialit turistik të komunës së Istogut dhe zhvillimin e infrastrukturës së biznesit pranë potencialeve ekzistuese në komunën tonë, është hartuar nga organizata “Syri i Vizionit” nga Peja, kurse vetë komuna participon me 20 për qind të shumës së gjithëmbarshme.

“Mbështetje për Agro-turizëm dhe Infrastrukturë për të ngritur dhe promovuar potencialet e biznesit zhvillimor ekonomik si dhe për të gjeneruar rritje të punësimit të qëndrueshëm dhe të ardhme më të mirë”, është titulli i projektit i cili synon përmirësimin e ambientit dhe infrastrukturës që lidhen me zhvillimin e biznesit në Agro-kulturë dhe zhvillim ekonomik”.

Zbatimi i projektit ka filluar gjatë muajit dhjetor dhe do zgjasë për 18 muaj.

Projekti në fjalë ka për objektivë po ashtu edhe promovimin dhe ngritjen e kapaciteteve të operatorëve në fushën biznesit privat duke ju siguruar edhe grante direkte. Komuna e Istogut me organizatën Syri i Vizionit ka bashkëpunuar edhe në projekte tjera, ndërsa në këtë projekt komuna është bashkë-aplikuese. /Telegrafi/