Ekonomia shqiptare pritet të ngadalësohet deri në fund të vitit 2024. Parashikimin e bën Komisioni Evropian, i cili merr si bazë krahasimi vitin 2022 dhe argumenton se ky frenim do vijë nga rënia e konsumit privat si rrjedhojë e çmimeve të larta.
Po ashtu ndikim do të ketë edhe frenimi i punësimit dhe efekti negativ që po jep forcimi i lekut në tregun e eksporteve.
Edhe investimet privat priten në rënie si rrjedhojë e shtrëngimit të kushteve të financimit po ashtu dhe ato publike, pasi do të kërkohen më shumë fonde për politikën e rritjes së pagave.
Sektori që pritet të ketë ecurinë më të mirë është ai i turizmit, i ndikuar nga oferta e lirë e Shqipërisë dhe përmirësimi i infrastrukturës turistike.
Sipas raportit të vjeshtës së Komisionit Evropian, pas zgjerimit të fortë në vitin 2022, që arriti në 4.8%, rritja ekonomike e Shqipërisë pritet të zbutet në 3.5% në 2023 dhe 3.1% në 2024.
Përshpejtimi i konsumit dhe investimeve private pritet të rrisë rritjen ekonomike në 3.7% në vitin 2025. Reduktimi i borxhit publik parashikohet të vazhdojë, megjithëse me një ritëm më të ngadaltë se në vitet e mëparshme. /Telegrafi/