Site icon Telegrafi

KE: Ekonomia në Shqipëri do ngadalësohet në 2025, bie ritmi i punësimit e turistëve

Ekonomia shqiptare pritet të rritet me 3.6 për qind në vitin 2025. Parashikimi është bërë në raportin e vjeshtës të Komisionit Evropian, ndërsa shifra rishikohet me ulje, pasi pritshmëria në fillim të vitit ishin për rritje 3.8 për qind.

Në analizë, KE pret që punësimi të rritet, por jo me hapin e viteve të fundit, dhe ky frenim do të ndikohet nga emigracioni dhe rënia e popullsisë. Po ashtu, edhe ritmi i rritjes së turistëve pritet të ngadalësohet në vitin 2025.

Përmirësimi i ngadaltë i punësimit do të ndikojë negativisht mbi konsumin.

Nga faktorët e jashtëm, eksportet pritet të zgjerohen.

Duke u ndalur te rreziqet që i kanosen ekonomisë, KE veçon luhatshmërinë e kursit të këmbimit dhe nevojës për punonjës të kualifikuar.

Emigracioni i këtyre të fundit shihet si problem madhor. Madje largimin e “trurit” e nxjerrin edhe rezultatet e Censit, që treguan rënie masive të popullsisë në moshë pune.

Sipas KE, për 2025-2026 rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto parashikohet të arrijë në 3.6% dhe 3.5%, një rritje kjo e moderuar dhe e qëndrueshme. /Telegrafi/

Exit mobile version