Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile, përmes një njoftimi për media ka përshëndeturmiratimin e Ligjit të ri për OJQ-të.
Në njoftimin për media thuhet se më shumë se pesë muaj pasi që miratoi një version jashtëzakonisht problematik, Kuvendi i Kosovës sot votoi amandamentet e propozuara nga Zyra e Presidentit të Kosovës në Ligjin për OJQ, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare dhe kërkesat e shoqërisë civile.
“Që nga nëntori 2018, rreth 300 organizata të shoqërisë civile ishin bashkuar për të parandaluar rrezikun që i kanosej sektorit të shoqërisë civile dhe demokracisë kosovare nga ky ligj. Pas kërkesës së suksesshme për Presidentin e Kosovës që ta kthejë këtë ligj në rishqyrtim në Kuvend, këto organizata ndërmorrën një fushatë intenzive të informimit të të gjitha grupeve parlamentare lidhur me problemet e këtij ligji të paprecedentë në Europë dhe më gjerë, dhe me pasojat që mund të shkaktohen nëse nuk kthehen dispozitat e drejta”, thuhet në njoftim.
Sipas komunikatës, në përkrahje të kërkesave të shoqërisë civile u bashkuan edhe një numër i madh i ambasadave të vendeve perëndimore në Kosovë, BE-së, organizatave ndërkombëtare dhe partnerëve tjerë vendorë e ndërkombëtarë.
“Organizatat e shoqërisë civile pjesë të kësaj nisme vlerësojnë reflektimin e partive politike parlamentare pas argumenteve të shoqërisë civile, dukeparandaluar faljen e qindra miliona eurove të pasurisë së përbashkët për bizneset private dhe rrezikimin e të ardhmes së të gjithë sektorit”, theksohet në njoftim.
Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) dhe 284 organizata jo-qeveritare pjesë të nismës për Ligjin për OJQ./Telegrafi/