Fondi i Sfidave për Kosovën (KCF) organizoi ceremoninë e ndarjes së granteve me qëllim publikimin e rezultateve të thirrjes së parë dhe ndarjes së granteve për konsorciumet fituese. Në thirrjen e parë për shprehje të interesit, KCF pranoi 23 aplikime nga konsorciumet e instituteve të aftësimit profesional dhe ndërmarrjeve nga Kosova. Vendimi i Komisionit Përzgjedhës për fondet në dispozicion për thirrjen e parë rezultoi në propozimin për financim të 4 projekteve më të suksesshme, duke ndarë rreth 2 milionë euro për investime në pajisje, infrastrukturë dhe trajnime në institutet e aftësimit profesional që zbatojnë trajnime bashkëpunuese.
Ceremonia e ndarjes së granteve mblodhi zyrtarë nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ambasada Gjermane, KfW, Fondi i Sfidave për Kosovën dhe konsorciumet fituese, për të shënuar suksesin e tyre.
Sistemi i arsimit dhe aftësimit profesional luan një rol vendimtar në zhvillimin e ekonomisë të secilit vend, por ende në Kosovë nuk ka arritur të zhvillohet dhe të avancojë siç do të dëshironim dhe prisnim, deklaroi ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci.
Ajo vijojë më tej duke thënë se në këtë situatë shpesh hasim sfida për gjetjen e punëtorëve të kualifikuar dhe mendojmë se një nga arsyet kryesore për këtë ka qenë mungesa e komunikimit dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të aftësimit dhe arsimit profesional dhe ndërmarrjeve.
Nagavci theksoi gjithashtu se në këtë kuadër, zhvillimi i arsimit dhe aftësimit profesional (AAP) mbetet prioritet kryesor i qeverisë. Më tej , ajo përgëzoi konsorciumet fituese dhe deklaroi se duke ditur që shumë kompani ankohen për mungesën e punëtorëve, Fondi i Sfidave për Kosovën do të shërbejë për harmonizimin e kërkesave të ndërmarrjeve dhe do të forcojë më tej zhvillimin e AAP-së në Kosovë në dobi si të zhvillimit ekonomik ashtu edhe të tregut të punës. Tashmë është përgjegjësi dhe detyrë e të gjithëve ne që të mbështesim dhe të kemi sa më shumë ofrues publikë të AAP-së që të aplikojnë dhe të jenë të suksesshëm në thirrjen e radhës, përfundoi ajo.
Në fillim të projektit, ne ishim pak të shqetësuar për sfidën e afrimit të sektorit privat me AAP-në në mënyrë që projekti të kishte sukses. Por më tej u befasuam pozitivisht jo vetëm që kishim propozime cilësore nga Kosova, por edhe që në aspektin rajonal konsorciumet e AAP-së nga Kosova kanë performuar mjaft mirë me propozimet e tyre, deklaroi Vera Baumann, udhëheqëse e Bashkëpunimit për Zhvillim në Ambasadën Gjermane. Jam shumë e kënaqur që kemi pasur 23 propozime, 9 prej tyre u futën në listën e ngushtë dhe 4 janë përzgjedhur për t’u financuar nga Fondi i Sfidave për Kosovën me rreth 2 milionë euro, tha më tej ajo.
Gjermania është donatori më i madh bilateral për Kosovën dhe ne shohim progres të vazhdueshëm në Kosovë. Sektorët ekonomikë që kanë të bëjnë me arsimin në përgjithësi, kanë filluar të lulëzojnë ose kanë lulëzuar deri më tani. Investimet e reja në ujësjellësit në Prizren, në Pejë dhe në Gjakovë, deponia e re në Prishtinë dhe projekti i ri më i madh i ngrohjes diellore do të nxisin interesimin për investime të reja gjermane dhe për rrjedhojë do të rrisin interesin për arsim dhe aftësim profesional, përfundoi ajo.
Më në fund, pas shumë vitesh përgatitjeje, ndërmarrjet dhe ofruesit e AAP-së në Kosovë kanë një mundësi të shkëlqyer për mbështetje financiare nga Fondi i Sfidave për Kosovën, deklaroi Valbona Fetiu Mjeku nga MASHT-i. Ndërsa kaluam një vit të vështirë pandemik, puna jonë ka qenë mjaft sfiduese dhe ndoshta nuk mundëm të bënim sa duhet, por sot jemi këtu për të festuar suksesin e konsorciumit fitues, tha më tej ajo. Ajo përgëzoi gjithashtu konsorciumet fituese duke theksuar se nuk ka AAP pa mbështetjen dhe përfshirjen e ndërmarrjeve dhe asnjë rezultat nuk do të ishte i mundur të arrihej pa mundin dhe angazhimin tuaj.
Rene Eschemann, Drejtor i Zyrës së KFW-së në Kosovë, kujtoi se gjatë gjithë punës së tij me përgatitjen e këtij programi ishte i dëshpëruar që qeveria nuk mund të siguronte atë që duhej për të trajnuar të rinjtë në mënyrë profesionale dhe për t’i siguruar kompanive punëtorët e duhur. Tani ai shtoi se jemi shumë të kënaqur që Qeveria e ka shpallur AAP-në si prioritet dhe jemi të nderuar që përmes këtij programi mund të ndikojmë në zhvillimin pozitiv të sektorit të AAP-së. Sigurisht, ky mekanizëm sfidues financimi nuk do të jetë e vetmja zgjidhje dhe nuk do të bëjë revolucion, por qëllimi ynë është të dëgjojmë kompanitë dhe shkollat për të ditur se çfarë nevojitet realisht për të arritur arsimin e dyfishtë si dhe për të ndryshuar mentalitetin e ndërmarrjeve. Më tej ai shtoi se këto 4 konsorciume fituese janë gurët e parë të puzzle-it, të cilat do të sjellin ide dhe qasje të reja se si do të duket arsimi dual, ide të cilat më pas donatorët dhe institucionet qeveritare do t’i marrin përsipër dhe do t’i përfshijnë në kuadrin e arsimit dhe aftësimit profesional.
Fondi i Sfidave për Kosovën (KCF) është një instrument financiar që synon të rrisë punësueshmërinë e të rinjve si dhe konkurrushmërinë e ndërmarrjeve në Kosovë. KCF është një iniciativë e ndërmarrë nga Banka Gjermane për Zhvillim (KfW), e financuar nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe e ekzekutuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) në Kosovë, operacionet e së cilës mbështeten nga konsulentët e Njësisë së Menaxhimit të Fondit.