Site icon Telegrafi

KBI në Prizren kërkon nga komuna që ti mbuloj shpenzimet e varrimit të qytetarëve (Dokument)

Këshilli i Bashkësisë Islame në Prizren i është drejtuar me një kërkesë publike komunës për mbulimin e shpenzimeve të varrimit të qytetarëve.

“Këshilli i Bashkësisë Islame në Prizren, si organ kompetent , çdo ditë kujdeset për shërbimin e varrimit dhe ceremonitë e tjera fetare ndaj qytetarëve të besimit islam. Natyrisht, vdekja vjen befas dhe përveç pikëllimit që na sjell, ajo shkakton edhe shpenzimet e detyrueshme materiale. Në këtë gjendje të rëndë emocionale dhe emergjente, secila familje ka nevojë për ndihmën e shoqërisë e veçmas të Institucioneve. Bashkësia Islame dhe Imami i xhamisë, si gjithmonë, janë pranë qytetarëve, e sidomos në momentet e vështira”, thuhet në kërkesën e Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit.

Më tej në kërkesë theksohet se ka ardhur koha që Kuvendi Komunal i Prizrenit , të mendojë seriozisht që të zgjasë dorën e ndihmës ndaj familjes që është sprovuar me vdekje.

“Veçanërisht kur dihet se pjesa dërmuese e Komunave të Republikës së Kosovës, janë duke i mbuluar shpenzimet e varrimit. Qytetarët e Prizrenit, duke qenë në dijeni për këtë ndihmë, për çdo ditë po kërkojnë që Komuna e Prizrenit ta bëjë një gjë të tillë sa më shpejtë. Me këtë rast, duke avokuar kërkesat e besimtarëve islam, kërkojmë nga Kryetari i Komunës, Kryesuesi, Kuvendi dhe partitë politike, që të mbështesin kërkesën e qytetarëve të Prizrenit, dhe sa më shpejtë të mundësojnë mbulimin e shpenzimeve të varrimit për të gjithë qytetarët pa dallim. Në këtë çështje, Këshilli i Bashkësisë Islame do të ofroj ndihmë të pa rezervë”, thuhet në fund të kësaj kërkesë të nënshkruar nga kryetari i KBI-së, Mr. Besim ef. Berisha, e cila është dorëzuar edhe në redaksinë e Televizionit të Prizrenit./Telegrafi/

Exit mobile version