KB Rahoveci ka arritur që të fitojë duelin e parë të finales së playoffit ndaj KB Dritës me rezultat 65-61, në një triller që i pa mysafirët të rikthyer në lojë në çerekun e katërt nga 20 pikë disavantazh, por që nuk mjaftoi, në një atmosferë të jashtëzakonshme të pa parë për Ligën e Parë të krijuar nga 1500 rahovecianë që udhëtuan drejt Suharekës në mungesë të palestrës së tyre në ndërtim që 10 vjet.
Rreth 1500 shikues të flakt dhe qytetarë të Rahovecit ishin mbledhur me autobusë të organizuar dhe me vetura private për të përkrahur super ekipin që këtë sezon nuk njeh asnjë humbje, në një duel që vleu ndoshta për gjithë sezonin.
Të pranishëm ishin edhe kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Erolld Belegu dhe kryetari i Rahovecit, Idriz Vehapi, të cilët u mirëpritën nga bordi i klubit në lozhën VIP të palestrës në Suharekë, aty ku këtyre drejtuesve iu përçua një tjetër mesazh, se nëse mbushet palestra e Suharekës, palestra në Rahovec do të stërmbushej në këto ndeshje kruciale.
Ndeshja filloi me Valentin Spaqin, trajnerin e KB Rahovecit që vendosi të inkuadrojë lojtarët më me përvojë në top kampionate, Latifin, Merovcin, Berishën, Osmanin dhe Bajramin, teksa Besnik Sharku startoi ndeshjen nga pankina.
Loja në çerekun e parë ishte e barabartë, ku KB Rahoveci me pikë të sigurta dhe ndonjëherë edhe nga distanca tregoi pedigrenë për të fituar, teksa të pasakt ishin mysafirët, të cilët edhe bënë shumë gabime.
Në çerekun e dytë epërsia shkoi deri në 15 pikë, falë performancës së fortë të Besnik Sharkut dhe Arion Ballukut, dyshes që u inkuadruan nga stoli për të dhënë impaktin kryesor në këtë takim. Sharku me 7 pikët e tij dhe 8 kërcimet arriti që të shtrojë dominancën, por ai nuk ishte në përbërje në çastet vendimtare.
Në fillim të çerekut të tretë kulmoi loja, ku epërsia shkoi deri në 20 pikë, dhe pikërisht atëherë kur u mendua se ky duel u fitua, mysafirët filluan rikthimin e madh.
Trajneri Valentin Spaqi i cili gjithsesi kërkoi fitoren në këtë takim, vendosi të luante me pesëshen e parë, duke mos e freskuar atë dhe duke kërkuar vulosjen e fitores me gjuajtje nga distanca, marrë parasysh se gjilanasit bënin shumë presion në trapez.
Kjo ndikoi që të krijohen shumë gabime në sulm (turnovers) të cilat u treguan për pak fatale.
Me një lojë të shpejt në fund të çerekut të parë, mbrojtje me presion në gjysmëfushën e tyre dhe me sulm të shpejt konkret, pasime të sakta me rotacion, gjilanasit arritën të krijojnë një seri fenomenale prej 18-0, duke u afruar në vetëm dy pikë, teksa Rahoveci për një moment humbën koncentrimin dhe as një time-out nuk ndikoi në përmirësimin e rendimentit të tyre koshashënues.
Spaqi la mysafirët të luajnë në perimetër, teksa me sukses KB Drita arriti të finalizonte sulmet, atë që nuk bëri gjatë gjithë lojës, teksa edhe të motivuar, ata provuan të bënin rikthimin spektakolar. Vendimi për të mos freskuar pesëshen startuese, për pak sa nuk iu hakmorr Spaqit, i cili pati të freskët Albion Metbalën dhe Arion Ballukun, të cilët lehtësihst kanë mundur të ndalin me presion zonal kundërshtarët dhe të parandalonin lojën e tyre të rrezikshme.
Megjithatë, në fund përvoja e Mustafë Merovcit dhe Alban Latifit u treguan kyçe, të cilët edhe realizuan pikët vendimtare që nuk i dhanë shpresë gjilanasve, të cilët për pak sa nuk bënë një rikthim shokues para tifozëve të Rahovecit.
Në fund ndeshja përfundoi me rezultat 65-61, me Mustafë Merovcin, Alban Latifin dhe Albatrit Berishën që ishin koshashënuesit me të mirë, teksa dominantë në trapez ishin Driton Bajrami dhe Besnik Sharku, të cilët realizuan edhe pikë, por edhe mjaft kërcime.
Kjo është fitore e madhe për KB Rahovecin në ndeshjen e parë të playoffit dhe me një këmbë ekipi ka siguruar Superligën.
Megjithatë, rikthimi spektakolar i KB Dritës dhe seria fenomenale në çerekun e fundit, u jep shpresë atyre për një fitore në Gjilan, çka do të bënte që një ndeshje tjetër në Suharekë të vendoste në një finale epike ekipin që shkonk në Superligë.
/Telegrafi/