“Shqiponjat” gjatë ditës në Facebook, kërkuan nga Prishtina që të mos niset drejt Karagaçit me trajnerin Marjan Ilievskin dhe alo-qendrën Bojan Trajkovski, për shkak të përleshjeve të fundit që ndodhën në Maqedoni.
Prishtinasit i kanë kujtuar “Shqiponjave” se ditë më parë këta dy anëtarë ishin kyçë për suksesin e arritur në Ligën Ballkanike. Prishtina ka kërkuar edhe nisjen e hetimeve nga organet kompetente “dhe identifikimin e personave që po bëjnë thirrje për dhunë në sport”, transmeton koha.net.
“KB Sigal Prishtina dënon ashpër thirrjet nxitëse për dhunë të iniciuar nga tifozëria ‘Shqiponja’ ndaj një pjese të ekipit tonë. Ju kujtomë se ditë më parë në finalen e Ligës Ballkanike, po këta lojtarë ishin kyçë për arritjen historike të sportit shqiptar”.
“Thirrjet e tilla nuk kanë të bëjnë aspak me sportin e aq më pak me ndershmërinë dhe moralin sportiv. Ekipi i cili mburri shqiptarinë ditë më parë meriton pritje kampionësh!”.
“Prishtina fton organet kompetente të merren me këtë çështje dhe po ashtu kërkon identifikimin e personave të cilët bëjnë thirrje për dhunë në ngjarjen kryesore të basketbollit të Kosovës”.
“Ua rikujtojmë si kampionë ballkanikë se ndeshjet fitohen me zemër, e jo me nxitje të dhunës e qyqarllëk. I bëjmë apel KB Pejës të distancohet nga kjo lloj qyqarie. Ajo nuk është në traditën e shqiptarëve”, thuhet në reagimin e KB Prishtinës.