Telegrafi

KB Peja në ABA, reagojnë serbët

Ndërkohë që citon fjalët e trajnerit të ri, Danijel Lutz, se krerët e klubit po përgatisin një projekt ambicioz për t’u kualifikuar në Ligën Adriatike, Kurir ka publikuar një artikull me titullin “Skandal: Klubi kosovar dëshiron të luajë në ligën rajonale ABA?”. Titulli te B92 është “Ekipi nga Kosova e dëshiron në ligën ABA?!” etj.

Në vazhdim theksohet se presidenti i ligës ABA, Radovan Lorbek, para disa muajsh ka deklaruar se ekipet kosovare në të ardhmen mund të luajnë në këtë garë rajonale, por për të ndodhur kjo nevojitet pëlqimi i klubeve tjera.

Krerët e klubeve serbe dhe Federata serbe e basketbollit padyshim që e kanë kundërshtuar këtë nismë.

Në Ligën Adriatike garojnë klube basketbollistike nga vendet e ish-Jugosllavisë (Sllovenia, Kroacia, Bosnje e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia), por janë ftuar edhe ekipe nga Republika Çeke, Izraeli dhe Hungaria. Në të ardhmen shpresojmë që klubet kosovare të jenë pjesëmarrëse në këtë kompeticion. /Telegrafi/


Qëllimi Pejës, të luajë në Ligën Adriatike

Trajneri i porsa angazhuar i Pejës, Danijel Lutz, planifikon që ta kualifikojë kampionin e Kosovës në Ligën Adriatike të basketbollit (ABA).

Ish-trajneri i Cibonës ka arritur marrëveshje njëvjeçare me klubin pejan, të cilin do ta udhëheqë në edicionin e ardhshëm në BKT Superligën e Kosovës në basketboll.

“Më ka joshur fakti që klubi është shumë ambicioz dhe se do ta kem mundësinë ta realizoj programin tim. Qëllimi i klubit është kualifikimi në ligën rajonale ABA dhe në atë aspekt do ta ndërtojmë skuadrën”, ka deklaruar Lutz.

Në sezonin e kaluar 34-vjeçari ishte fitues i të dy titujve në Kroaci, mirëpo iu desh të largohej nga Zagrebi pasi atje shkoi Neven Spahija. /Telegrafi/