Telegrafi

Kazino me 5 euro

Mjafton të kesh një lokal sado të vogël, ta plotësosh formularin dhe të bësh pagesën prej pesë eurove në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë që të hapësh kazino në Kosovë. Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë nuk i interesin asgjë tjetër.

“Ne nuk na intereson a i plotësojnë këto subjekte kushtet e licencimit a jo. Mjafton që ato të regjistrohen”, tha Mehdi Pllashniku, ushtrues detyre i kryeshefit të ARBK-së. Sipas tij, kjo është kompetencë e Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave. Ndërsa, MTI-ja nuk është është përgjegjëse për asgjë që ndodh pas regjistrimit.

Ministria e Ekonomisë dhe Financave ka heshtur të dielën rreth kaosit në tregun e bixhozit. Express është munduar gjatë gjithë ditës që të marrë një arsyetim pse nuk po rregullohet ky treg, por ka qenë e pamundur. Krerët e MEF-it kanë preferuar heshtjen, duke gjetur si arsyetim pushimin për vikend.
Nga mospagesa e licencave, buxheti vazhdon të humbë miliona, përderisa pagesa e taksave nga subjektet e lojërave të fatit mbetet simbolike.

Mbyllja e kazinove të mëdha ka sjellë lulëzimin e atyre të voglave. Ky treg sërish vazhdon të mbetet në të shumtën ilegal. Kaosi ekziston që nga paslufta. Fillimisht ato ishin nën kompetencat e MTI-së, të udhëhequr në atë kohë nga Bujar Dugolli. Paratë për licenca nuk ishin paguar asnjëherë, ndërsa pas disa vjet shkeljesh, ato kaluan nën kompetencat e MEF-it.

Kjo ministri nën udhëheqjen e Haki Shatrit e kishte marrë me pompozitet këtë detyrë. U mbyllën dy kazinotë më të mëdha për mospagesë taksash. Ndërsa, tash kaosi është rikthyer. Atë janë duke e krijuar një varg kazinosh të vogla, të cilat s’e plotësojnë asnjë kusht për licencim.
Në vendet e tjera të botës, për të hapur kazino duhen paguar shpeshherë më tepër se 10 milionë euro vetëm për licencë.

Bizneset që janë të regjistruara me emërtimin Casino në Kosovë:
Las Vegas Casino SH.P.K.
Swiss Casino Kosova LLC
Casino 1 AG Sh.a.
Grand Casino Sh.p.k.
Casino Bonver SH.A.
N.SH. Galaxy Casino
Dyqan i pavarur afarist Casino Juwel
Shoqëri njëpersonale për veprimtari zbavitëse bixhozi CASINO-MONACO