Një varg pyetjesh në mesin e të cilave edhe kur Greqia do t’i ratifikojë tre memorandumet me Maqedoninë e Veriut, kur do t’i ndryshojë tabelat, a ekziston plan për ndryshim të emrave të federatave në vendin fqinj, por edhe kur do të mbahet këshilli i ardhshëm, parashtron përgjegjësi për politikë të jashtme në SYRIZA-n opozitare, Georgios Katrougalos, informon AIM.
Ish-shefi i Diplomacisë greke në deklaratën me shkrim pas vizitës së Dendias në Shkup, tha se ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë duhet të japë përgjigje të qarta “që të ketë vlerë të vërtetë cilado vizitë në Maqedoninë e Veriut ose takime me funksionarët e saj”.
“Kur do të zbatohet marrëveshja nga qershori 2019 për ndryshimin e teksteve shkollore në Maqedoninë e Veriut, në lidhje me pretendimet për Aleksandrin e Madh? Cili është plani për ndryshimin e emrave, veçanërisht të federatave sportive në vendin fqinj? Kur do të zhvillohen takimet e planifikuara për markat tregtare? Kur do t’i ndryshojë Greqia tabelat në mënyrë që Maqedonia e Veriut të jetë shkruar mbi to? Kur do të ratifikohen të tre memorandumet? Kur do të mbahet Këshilli i Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë në mënyrë që të ketë memorandume dhe marrëveshje të reja?”, janë pyetjet që Georgios Katrougalos i bën hapur përmes deklaratës së tij me shkrim.
Ai thotë se Qeveria greke, “tashmë dy vite, e robëruar në qorrsokakët e saj brenda partiake, refuzon ta shfrytëzojë Marrëveshjen e Prespës dhe t’i promovojë marrëdhëniet strategjike me Maqedoninë e Veriut, duke u lënë hapësirë forcave nacionaliste nga të dyja vendet dhe fushë të lirshme për Turqinë”.
“E zymtë dhe kontradiktore është figura, ministri i Punëve të Jashtme të shprehë shqetësim për marrëveshjen në mbrojtje në disa nivele Turqi – Maqedoni e Veriut, kur Qeveria dy vite nuk mund të ratifikojë asnjë marrëveshje teknike”, komentoi Georgios Katrougalos.