Site icon Telegrafi

Janeva nuk përjashton Fetain dhe Bubevskin nga lënda “Titanik 3”

Shefja në largim e Prokurorisë Speciale Katica Janeva, nuk do të përjashtojë prokurorët Gavrill Bubevski dhe Fatime Fetai nga përfaqësimi i aktakuzës në rastin “Titanik 3”.

Në vendimin e Janevës i cili sot pasdite ka arritur në Gjykatën Penale, thuhet se Fetai dhe Bubevski do të vazhdojnë ta përfaqësojnë aktakuzën deri në sjelljen e aktgjykimit, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Propozimin për përjashtimin e Fetait dhe Bubevskit e dorëzoi avokati i Ejup Alimit dhe Ismet Gurit, Elenko Millanov.

Lexo po ashtu Avokati i Alimit dhe Gurit kërkon përjashtimin e prokurorëve në rastin “Titanik 3”

Ai u referua ngjarjeve të fundit në PSP për shkak të aferës “Haraçi”, duke thënë se prokurorët Fatime Fetai dhe Gavrill Bubevski janë përplasur me Katica Janevën.

Në rastin “Titanik 3” të akuzuar janë deputeti i BDI-së Ejup Alimi dhe Ismet Guri, të cilët dyshohet se si anëtarë të Komisionit Komunal Zgjedhor në Çair, në zgjedhjet lokale të vitit 2013 kanë shkatërruar materialin zgjedhor dhe kanë ndikuar në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve./Telegrafi/

Exit mobile version