Telegrafi

Katica Janeva e padit Boki 13, ish-prokurorja është fotografuar duke numëruar para

Ish-kryeprokurorja speciale Katica Janeva ka dorëzuar kallëzim penal ndaj Bojan Jovanovskit “Boki 13”, pasi e ka filmuar dhe fotografuar pa dijeninë e saj, duke numëruar para.

Kjo u bë e ditur në seancën dëgjimore për rastin “Haraçi”, e cila vazhdoi në Gjykatën Penale me prova të mbrojtjes, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Sipas avokatëve të Janevës, bëhet fjalë për fotografi që më herët është përdorur si dëshmi, në të cilën shihet Janeva e ulur në një divan ndërsa para saj para në vlerë prej 50 mijë eurove.

Padia është dorëzuar që në muajin mars, gjegjësisht pas paraqitjes së fotografisë si dëshmi në procesin gjyqësor për “Haraçin”.

Sipas avokatëve të Janevës, bëhet fjalë për fotografim të paligjshme.

Ndërsa avokati i Bojan Jovanovskit reagoi se disa nga redaktorët në 1TV, si dhe ish drejtori i DSK-së Goran Nikolovski, nuk janë pranuar si dëshmitarë.

Ai gjithashtu konsideron se gjykata është e padrejtë, pasi sipas tij një ekspert u dëgjua në seancën e mëparshme dhe konfirmoi se telefoni i Jovanovskit nuk është analizuar aspak./Telegrafi/