Zv.kryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, javën e ardhshme me siguri do ta vizitojë Athinën ku do të bisedojë me përfaqësues të lartë të autoriteteve greke, njofton gazeta greke “Kathimerini”.
Duke iu referuar analistëve, gazeta informon se pret që takimet midis përfaqësuesve të të dy vendeve të intensifikohen në fillim të vitit të ardhshëm, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Duke mos saktësuar nëse vizita e Osmanit është në kuadër të përpjekjeve për gjetjen e zgjidhjes për emrin, ose lidhur me aspekte të tjera të marrëdhënieve bilaterale midis Maqedonisë dhe Greqisë, gazeta në të njëjtin tekst fokusohet në takimin me ndërmjetësin Methew Nimetz, takim të cilin për javën e ardhshme e paralajmëroi kryeministri Zoran Zaev.
“Takimi i javës së ardhshme midis Methju Nimicit, përfaqësuesit special të KB-së për kontestin me emrin në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe negociatorëve nga Greqia dhe IJRM-ja, shihet si pjesë e përpjekjeve për përshpejtimin e bisedimeve për zgjidhjen e problemit i cili i ndau vendet për mbi dy dekada”, shkruan Katimerini.
Duke iu referuar deklaratës së kryeministrit Zaev, gazeta shtoi se Nimetz, më 20 dhe 21 nëntor do të realizojë takime të veçanta me Adamantios Vasilakis dhe Vasko Naumovskin./Telegrafi/