Ardhja e tyre në jetë, para rreth gjashtë muajve, ka qenë temë e pranishme në mediat gjermane. Bëhet fjalë për katërnjakët e familjes refugjate shqiptare Keta, të cilët lindën në Jena të Gjermanisë.
Tash, kur nga ajo kohë ka kaluar gjysmë viti, katërnjakët janë pagëzuar në kishën ungjillore të qytetit Winzerla. I pranishëm ishte edhe vet kryeministri i landit të Thüringenit, Bodo Ramelow. Për më tepër ai u bë edhe kumbarë i fëmijëve, shkruan mdr.de, transmeton albinfo.ch.
Ceremonia e pagëzimit të katërnjakëve u zhvillua pjesërisht edhe në gjuhën shqipe.
Tri vajzat – Olivia, Xhesika e Amelia dhe vëllai i tyre Frederiku – kanë lindur nga mesi i tetorit të vitit të kaluar me prerje cezariane, në javën e 32-të të shtatzënisë së nënës së tyre, Oltiana Koci. Të porsalindurit peshonin në mes 1200 dhe 1655 gramë.
Oltiana dhe bashkëshorti i saj Vebi Keta, kishin ardhur në Gjermani për shkak të kushteve të rënda të mjekësisë në Shqipëri dhe pasi që kishin frikë për të bërë lindjen e katërnjakëve në ato kushte.
Familja megjithatë është e kërcënuar të dëbohet nga Gjermania, pasi që Shqipëria konsiderohet vend i sigurt dhe sipas rregullit, shtetasve të saj nuk u jepet azil.