Real Madridi do të ketë para vetes një mision shumë të vështirë në kuadër të çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve, teksa do të përballet me Manchester Cityn më datë 9 prill.
Kjo do të jetë hera e tretë radhazi që këto dy ekipe takohen me njëra-tjetrën në fazën me eliminim direkt në Ligën e Kampionëve.
Edhe në takimin e sivjetëm mes këtyre dy ekipeve nuk pritet të mungojë spektakli, teksa City do të synojë triumfin për të mbrojtur titullin.
Sidoqoftë, krahas pritshmërive se Ancelotti do të ketë në dispozicion për ndeshjen e kthimit të gjithë ekipin, ka shqetësime rreth katër lojtarëve që rrezikojnë suspendimin.
Vinicius Junior, Jude Bellingham, Eduardo Camavinga dhe Aurelien Tchouameni janë vetëm një karton të verdhë larg për të humbur ndeshjen e kthimit në Mançester.
UEFA do të shlyejë të gjithë kartonët e verdhë pas zhvillimit të ndeshjeve çerekfinale, por lojtarët e Real Madridit do të duhet të jenë mjaft të kujdesshëm në ndeshjen e parë që do të luhet në kryeqytetin spanjoll./Telegrafi/