Numri i vetëvrasjeve në Kosovë muajve të fundit është shpeshtuar. Statistikat e Policisë së Kosovës thonë se vetëm në tre muajt e parë të këtij viti janë regjistruar katër vetëvrasje.
Por edhe në muajin prill dhe maj u raportua për vetëvrasjeve, ku vetëm në maj dyshohet se bënë vetëvrasje dy nxënëse të klasës së dhjetë të shkollës së mesme të mjekësisë, “Luciano Motroni” në Prizren.
Sociologë dhe psikologë për KosovaPress e kanë sqaruar këtë shtim të vetëvrasjeve në Kosovë duke thënë se gjendja ekonomike dhe sociale në vend po i shtynë njerëzit drejt këtij akti.
Policia e Kosovës për KosovaPress përmes një emaili elektronik ka bërë të ditur se në tremujorin e parë të këtij viti, katër raste janë cilësuar si vetëvrasje, të tjerat ende janë në proces të hetimit pasi që cilësohen si “vrasje të dyshimta”.
“Në tremujorin e parë të këtij viti janë 4 raste, por duke u trajtuar nga ana policore janë edhe disa raste tjera që janë iniciuar si ,,vdekje e dyshimte” , ndonjë nga to pas përfundimit të hetimit dhe procedurave mjeko-ligjore mund të ndryshojë kategorinë e veprës”, thuhej në shkresën e Policisë së Kosovës.
Sipas Policisë, mosha 18 deri në 40 vjeçare janë ata që më së shpeshti kryejnë vetëvrasje, kurse viktimat e gjinisë mashkullore prijnë në kryerje të këtij akti.
Dukurinë e vetëvrasjeve në Kosovë e ka shpjeguar edhe sociologë, Besim Gollopeni, sipas të cilit faktorët që po i shtyjnë kosovarët drejt aktit të vetëvrasjes është depresioni, pasojat nga lufta e fundit dhe gjendja socio-ekonomike në vend.
“Kohëve të fundit e shohim se ka një trend në rritje të vetëvrasjeve edhe në Kosovë dhe sidomos tek grup-moshat e reja të shoqërisë, gjë që është jashtëzakonisht shqetësuese dhe natyrisht shkaktarët janë individual dhe të përgjithshme, mirëpo ndër shkaktarët që mund të theksojmë tek vetëvrasjet në Kosovë janë padyshim edhe pasojat që vijnë si rezultat i luftës së fundit, shkallës së lartë të depresionit, shkallës së lartë të konflikteve të ndryshme për motive të ulëta, për motive xhelozie dhe faktor të tjerë socio-ekonomik të cilët ndikojnë jashtëzakonisht shumë, sidomos gjendja sociale, papunësia, varfëria që shpesh herë njerëzit në një formë ose tjetër nuk arrijnë ta kontrollojnë apo balancojnë ato pritjet e tyre me kushtet të cilat iu ofrohen në realitetin kosovar apo të shoqërisë kosovare. Dhe natyrisht kur humb ky balanci qon tek një humbje e kontrollit të vetvetes dhe si rezultat i kësaj pad yshim që sjellë tek kjo dukuri negative”, u shpreh ai.
Sipas tij, në numrin e madh të vetëvrasjeve ka ndikuar edhe mungesa e një trajtimi psiko-social, prandaj thotë se institucionet vendore duhet të krijojnë politika sociale të mirëfillta.
“Institucionet duhet të dizajnojnë politika sociale të mirëfillta, çoftë në ofrimin e shërbimeve nga këndvështrimi i trajtimit të rasteve kur vërehet apo kemi elemente të tilla, çoftë të stresit, çoftë të depresionit, çoftë të humbjes të të mirave materiale, pra në rast se ndodhë një humbje materiale…Pastaj janë ofrimi i shërbimeve sociale, pra shërbime për trajnime, kurse të veçanta, specializime të veçanta, ofrime shërbime të veçanta për kalimin e stresit, trajtimin e depresionit, trajtimin e sferave të tjera sociale. Mirëpo gjithsesi duhet të kemi politika sociale të dizajnuara në atë formë, gjë që harmonizon kalimin prej një faze në fazën tjetër”, ka shtuar Gollopeni.
Kurse, specialisti i Psikologjisë Klinike, Imri Zabeli për KosovaPress, thotë se prania e psikologëve në të gjitha institucionet publike dhe private është e domosdoshme.
Ai tutje shton se gratë shtatzëna, personat me sëmundje të pashërueshme dhe adoleshentët janë më të prirë për të kryer vetëvrasje.
“Personat të cilët kërkojnë trajtim shëndetësor për shembull janë ata të cilët vuajnë prej sëmundjeve terminale, atëherë janë më vulnerabil ndaj dukurisë së vetëvrasjeve për arsye se ata marrin mesazhin për një sëmundje të tyre e cila është e pashërueshme. Pastaj e kemi rastin e personave për shembull nënave shtatzënë tek të cilat shtatzënia karakterizohet me depresionet pre dhe post natal, atëherë janë shumë të rrezikuara dhe të cenueshme të vuajnë nga depresioni…Grupet tjera janë për shembull personat që vuajnë prej sëmundjeve psikiatrike, ta zëmë psikoza, ankthet çrregullimet, stresi post traumatik…Ndërsa në popullatën në përgjithësi, popullata më e rrezikuar prej vetëvrasjeve del të jetë mosha e adoleshencës e cila është mosha më vulnerabile në aspektin emocional, domethënë ndodhë një ndryshim i madh hormonal edhe në organizëm dhe ndërlidhet edhe më kontekstin social”, ka thënë Zabe li.
Zabeli ka treguar edhe për periudhat brenda vitit se kur kosovarët janë më të prirë për të kryer vetëvrasje.
“Nuk ndodhin gjatë tërë vitit, por ndodhin vetëm në disa periudha të vitit, për shembull në vendet e ndryshme të Evropës, vetëvrasje është shumë e theksuar në fund vit kur janë të lidhura me festat. Në Kosovë vetëvrasja është e theksuar në pranverën e vonshme, diku në muajin maj dhe gjatë periudhës së verës. Pse po e them këtë sepse tek ne në aspektin kulturor, pranvera e vonshme dhe vera është periudha festive, periudha të themi e dasmave e të gjitha këtyre ahengjeve që i kemi dhe në këtë rast vetëvrasja bëhet edhe si rezultat i një bilanci që e bënë individi dhe gjithë krahasimin që e bënë për vetën dhe gjendjen ….Popullata në cilën periudhë është më e cenuar po ashtu në vetëvrasje, është periudha në ndryshimeve politike. Zakonisht kur jemi para zgjedhjeve krijohet një shpresë, instalohet një shpresë e pritshmërisë në popullatë, atëherë kur ndodhin ngërçe politike, kur ndodhin kriza politike, atëherë 1 %, këtu ndodhë edhe ajo humbja e shpresës, humbja e optimizmit”, ka thënë Zabeli.
Ndryshe, sipas statistikave të Policisë së Kosovës në vitin e kaluar janë evidentuar gjithsej 32 vetëvrasje dhe 216 tentim vetëvrasje, kurse në vitin 2016 janë evidentuar 37 vetëvrasje dhe gjithsej 229 tentim vetëvrasje, në vitin 2015, Policia ka identifikuar gjithsej 60 vetëvrasje, dhe 219 tentim vetëvrasje, derisa viti 2014 ka numrin më të madh të vetëvrasje, ku janë të regjistruara gjithsej 77 vetëvrasje dhe 261 tentim vetëvrasje.