Telegrafi

Katër ushtarë amerikanë lëndohen pas një përplasje me një kolonë ushtarake ruse në Siri

Të paktën katër ushtarë amerikanë u plagosën pas një konfrontimi me trupat ruse në verilindje të Sirisë.

Rrethanat e incidentit, të cilat, siç raporton CNN, kanë ndodhur këtë javë, nuk janë të dallueshme në draftin e shkurtër të deklaratës ushtarake, transmeton Telegrafi.

Ushtarët nuk pësuan lëndime serioze, kryesisht kontuzione të buta dhe tronditje, sipas një raporti të Pentagonit.

Konfirmimi i incidentit vjen pasi u publikuan disa video në Twitter, duke treguar një automjet, i cili dyshohet se i përket palës ruse, teksa përplaset me një amerikan gjersa monitorohet nga një helikopter rus.

 

Pentagoni nuk konfirmoi vërtetësinë e atyre regjistrimeve, por përmes një deklarate konfirmojnë se ka pasur një vozitje të qëllimshme të një veture ruse drejt amerikanëve.

“Disa automjete ruse filluan ndjekjen e amerikanëve në një mënyrë të pasigurt”, deklaron Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-ve.

Kujtojmë se edhe pse Donald Trump urdhëroi tërheqjen e forcave amerikane nga Siria, ende atje ka rreth 500 ushtarë, kryesisht në verilindje të vendit.

Së bashku me kundërshtarët e regjimit të Bashar al-Asadit, ata janë duke luftuar mbetjet e Shtetit Islamik.

Ndryshe, në muajt e fundit, rusët kanë filluar të depërtojnë gjithnjë e më shumë në territorin e kontrolluar më parë nga amerikanët. /Telegrafi/