Telegrafi

Katër të vdekur nga të shtënat pranë një sinagoge në një ishull tunizian

Dy vizitorë dhe dy policë u vranë mbrëmë pranë sinagogës më të vjetër të Afrikës, në ishullin Djerba të Tunizisë.

Polici dyshohet se vrau partnerin e tij, dhe më pas hapi zjarr ndaj vizitorëve dhe forcave të sigurisë pranë sinagogës përpara se të vritej vetë, transmeton Telegrafi.

Motivi mbetet i paqartë. Një nga vizitorët e vrarë është shtetas francez. Katër vizitorë të tjerë dhe pesë policë u plagosën.

“Dy besimtarë që morën pjesë në pelegrinazhin hebre u vranë mbrëmë nga një polic tunizian, i cili hapi zjarr përpara sinagogës El Ghriba në ishullin Djerba”, njoftoi Ministria e Brendshme e Tunizisë.

Kur dëgjuan të shtëna armësh rreth sinagogës El Ghriba, qindra besimtarë që merrnin pjesë në pelegrinazhin vjetor hebre, i cili përfundoi të martën mbrëma, filluan të ikin, raportojnë mediat e atjeshme.

Forca të policisë u dërguan për të siguruar besimtarët. Mediat raportojnë se polici është qëlluar nga kolegët e tij. Aty kishte më shumë se 5000 besimtarë

Organizatorët deklarojnë se më shumë se 5000 besimtarë hebrenj, shumica e tyre nga jashtë, morën pjesë në pelegrinazhin e këtij viti në Ghrib, sinagogën më të vjetër të Afrikës, e cila u restaurua vitin e kaluar pas një pauze dyvjeçare për shkak të pandemisë Covid-19. /Telegrafi/