Telegrafi

Katër të vdekur dhe disa të lënduar, pamje nga shpërthimi i një tubacioni të gazit në Iran (Video)

Të paktën katër vetë gjetën vdekjen dhe pesë të tjerë u lënduan të enjten në një shpërthim të tubacionit të gazit në Iranin jugperëndimor, njoftoi agjencia iraniane e lajmeve ISNA.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, “rrjedhja e gazit nga një tubacion që lidh rrjetin e gazit nga qyteti Mahshahr në qytetin Ahvaz, shkaktoi shpërthimin”.

“Të paktën katër vetë, duke përfshirë një fëmijë dhe një grua, u vranë në shpërthim dhe pesë vetë u plagosën”.

Televizioni shtetëror i Iranit raportoi se pesë makina në zonë ishin përfshirë gjithashtu nga zjarri.

Masat e dobëta të sigurisë dhe infrastruktura e vjetër e Iranit janë fajësuar nga disa autoritete për shpërthimet në të kaluarën. /Telegrafi/