Familja Bisaku kishte jetuar në Turbenthal të Cyrihut, ndërsa në vitin 2010 ishin zhvendosur për të jetuar në Hamburg Të katër fëmijët kanë pasion futbollin. Samueli është në akademinë e futbollit në Hamburg, ndërsa fëmijët e tjerë, Nikolla, Davidi dhe Domeniku janë ende të vegjël, ani pse edhe në këtë moshë ata janë në gjendje të bëjnë gjëra të paparashikuara me top për moshën e tyre.
Djali i madh, Samueli, para dy vitesh ka qenë i ftuar për të shoqëruar lojtarët në ndeshjen Hamburg-Leverkusen, pastaj edhe një herë tjetër ka shoqëruar futbollistët e Bayern Munichut dhe ka dalë në fushë menjëherë pas Xherdan Shaqirit.
Ndërkohë, talenti i djalit të tretë, Davidit, është parë që në moshën një vjeç e gjysmë. Në moshën trevjeçare Davidi, bën mbi 250 prekje të topit me këmbë pa ndërprerë, ndërsa njeh të gjithë futbollistët me emra të kombëtares gjermane.
Babai i djemve, Gjon Bisaku, një ish-futbollist, i cili luante në një klub në Zvicër, para disa kohësh ka pasur edhe një takim në Zvicër me ish-trajnerin e Borussia Dortmundit, Jurgen Klopp. “Kemi pasur një takim shumë miqësor. Ai u takua edhe me fëmijët e mi. Nga videot e shikuara ai është mahnitur me talentin e djemve. Më ka dhënë shumë kurajë të punoj sa më shumë, sepse kanë një të ardhme përpara”, ka treguar Gjon Bisaku, me prejardhje nga Gjakova.
Babai i katër futbollistëve, Gjoni, ka treguar për albinfo.ch se si Lionel Messi kishte marrë fotografitë e djemve dhe më pas njërën e kishte ndalur për vete, kurse një tjetër ua kishte dërguar me postë, në të cilën shënoi autografin e tij. “Ishte një surprizë shumë e këndshme jo vetëm për fëmijët e mi, por edhe për mua personalisht. Nuk e kemi pritur një gjë të tillë”, ka thënë Gjoni.
Për futbollistët Bisaku kjo është vetëm njëra nga befasitë. Ata u ftuan dy herë nga klubi Real Madrid që të jenë në tribuna për të shikuar ndeshjet futbollistike. Hera e parë ishte në muajin janar të vitit të kaluar, por për shkak se djali i vogël ishte i sëmurë në atë kohë, nuk arritën të jenë pjesëmarrës. Pastaj atyre iu erdhi edhe një ftesë tjetër gjatë muajit qershor për të përcjellë ndeshjen e legjendave mes Real Madridit dhe Liverpoolit, e që kësaj here të pranishëm ishin vetëm Samueli dhe babai i tij.
“Jemi mahnitur me pritjen që na kanë bërë. Për ne ishin të rezervuara ulëset VIP në stadium. Qëndruam katër ditë atje, ndërkohë kishim edhe bisedime me zyrtarë të klubit, të cilët tashmë janë duke përcjellë talentin e djemve të mi. Bashkë me ta vizituam edhe qendrat stërvitore si dhe zhveshtoret e futbollistëve”, thotë babai Gjoni, duke shtuar se Samueli ka dhënë edhe intervista për media të shumta spanjolle.
Por, nuk është vetëm Real Madridi që po i vëzhgon vëllezërit Bisaku, edhe Manchester Unitedi dhe ekipe të tjera të mëdha evropiane janë vënë në gjurmët e tyre. /Telegrafi/