Pas kryerjes së procedurës hetimore dhe shqyrtimit të të gjitha rrethanave, prokurori publik kompetent nga Prokuroria Themelore Publike Shkup ka ngritur kallëzim kundër katër personave për incidentin e ndodhur më 14 tetor 2024 në afërsi të objektit të Komunës së Çairit, kur gjatë të shtënave me armë zjarri – pistoletë ka mbetur i plagosur një person.
I akuzuari i parë akuzohet për Krime të rënda kundër sigurisë publike nga neni 292 paragrafi 1 lidhur me nenin 288 paragrafi 1, i akuzuari i dytë për Shkaktim rreziku publik nga neni 288 paragrafi 1 dhe pjesëmarrje në përleshje nga neni 132 paragrafi 1, ndërsa dy të tjerët akuzohen për vepër penale – Pjesëmarrja në zënkë nga neni 132 paragrafi 1 i Kodit Penal.
Provat e siguruara tregojnë për veprimet e secilit prej të akuzuarve individualisht, me ç’rast i akuzuari i parë gjatë një përleshjeje në mënyrë të pakontrolluar ka qëlluar një plumb të vetëm me pistoletë dhe i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore, plagë me armë zjarri në pjesën e poshtme të këmbës së majtë të dëmtuarit.
Tre të akuzuarit e tjerë paraprakisht kishin nisur një debat dhe përleshje verbale me të dëmtuarin. Gjatë gjithë ngjarjes, edhe i pandehuri i dytë ka lëvizur në mënyrë të pakontrolluar armën dhe ka qëlluar një plumb të vetëm në drejtim të panjohur, duke shkaktuar kështu rrezik të konsiderueshëm për jetën dhe trupat e njerëzve.
I akuzuari i parë në momentin e kryerjes së veprës ka qenë person i dënuar i cili ka shfrytëzuar përfitime në institucionin ku vuante dënimin dhe për këto arsye edhe në fillim të hetimeve prokurori publik ka propozuar që të dënohet me paraburgim. Me ngritjen e aktakuzës është propozuar vazhdimi i masës së paraburgimit./Telegrafi/