Gjatë të premtes së kaluar, katër shtetas amerikanë janë rrëmbyer nga persona të armatosur në verilindje të Meksikës.
FBI dhe burime të CNN të njohur me rastin, pretendojnë se kjo ka ndodhur pasi rrëmbyesit kanë gabuar identitetin e tyre.
“Besohet se janë rrëmbyer gabimisht dhe se nuk janë ata që rrëmbyesit i kishin kërkuar. Udhëtuan në qytetin përgjatë kufirit Matamoros për procedura mjekësore”, tha për CNN një zyrtar që është i informuar mirë me rastin.
Presidenti meksikan Andres Manuel Lopez Obrador, ka ofruar një shpjegim të ngjashëm, transmeton Telegrafi.
“Informacionet që i kemi është se kanë kaluar kufirin për të blerë ilaçe në Meksikë, dhe ka ndodhur një përleshje mes grupeve. Aty janë rrëmbyer amerikanët. E tërë qeveria po punon në zgjidhjen e kësaj situate”, shtoi Lopez Obrador.
Amerikanët e zhdukur që nuk janë identifikuar, janë sjellë në Matamoros të premten me një furgon të bardhë me targa të Karolinës së Veriut, të paktën kështu thanë nga FBI në San Antonio.
Atje është shtënë mbi ta nga sulmues të armatosur të paidentifikuar, dhe se personat e armatosur i kanë futur në një veturë dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes, pretendon FBI.
Në këtë incident është vrarë një shtetas i pafajshëm meksikan, ka bërë të ditur ambasadori amerikan në Meksikës, Ken Salazar.
“Zyrtarët e agjencive të ndryshme amerikane të sigurisë po bashkëpunojnë me autoritetet meksikane për të ofruar një rikthim të bashkëkombësve tonë”, tha Salazar.
Madje FBI kërkoi ndihmën e opinionit në gjetjen e amerikanëve të rrëmbyer, dhe identifikimin e personave përgjegjës për rrëmbim.
Për informacione që do të çojnë në identifikimin e rrëmbyesve dhe arrestimin e tyre, FBI ka ofruar një shpërblim prej 50 mijë dollarësh. /Telegrafi/