Site icon Telegrafi

Katër nga të lënduarit nga bombola e gazit në Mitrovicë në gjendje më të rëndë

Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, viziton familjen e të lënduarve nga bombola e gazit

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), ka njoftuar se katër nga personat e lënduar nga shpërthimi i bombolës së gazit në Kçiq të Mitrovicës janë në gjendje më të rënduar shëndetësore nga djegia që kanë pësuar.

Siç bëhet e ditur në njoftim, të njëjtit pas operimit janë transferuar për mjekim të mëtejshëm në Mjekimin Intensiv Qendror.

Nga shpërthimi i bombolës gjithsej 15 pacientë kanë pësuar lëndime. Vetëm njëri prej tyre është liruar për në shtëpi, ndërsa të tjerët po trajtohen nëpër klinikat e QKUK-së.

Lexo po ashtu QKUK: Pacientët kanë djegie të shkallës së dytë dhe të tretë, katër prej tyre janë duke u operuar

“Katër nga ta janë operuar në sallat emergjente, kurse tek të tjerët janë kryer ndërhyrje në sallën e vogël të ndërhyrjeve kirurgjike, Shërbimin e Reanimimit dhe atë Kirurgjik, të po kësaj klinike”.

“Katër pacientë janë transferuar për mjekim të mëtejshëm në Mjekimin Intensiv Qendror, meqë kanë gjendje më të rënduar shëndetësore nga djegia”, thuhet në njoftimin për media të ShSKUK-së.

Tutje, bëhet e ditur se tetë pacientë janë transferuar në Klinikën e Kirurgjisë Plastike, ku po e vazhdojnë trajtimin dhe mbikëqyrjen nga stafi shëndetësor.

“Dy në Kirurgjinë Abdominale dhe një do të transferohet në Kirurgji Torakale. Stafi mjekësor dhe infermieror i këtyre klinikave do të vazhdojë të ofrojë kujdes dhe mbikëqyrje shëndetësore 24-orëshe për këta pacientë”, thuhet mes tjerash. /Telegrafi/

Exit mobile version