Site icon Telegrafi

Katër “mos”-et më të famshme në Tiranë

Alma Nikolli

Mos këpusni lulet,

Mos parkoni para portës,

Mos pështyni në tokë,

Mos hidhni letra në WC!

Jeta e një qyteti mund të njihet edhe përmes disa shenjave jo fort të bujshme që i gjen të shkruara në mure a pllaka kudo nëpër të. Se me çfarë një popull e tepron, është krejt e kuptueshme edhe tek “veprimet e ndaluara” që tentojnë t’i diktohen.

Po të kalosh tek e ashtuquajtura “Rrugë e Ambasadave”, sikur ndjen një tjetër atmosferë. Më qetësi, rregull e “jashtështet” se në shumë pjesë të tjera të Tiranës. Lule të mbjella, përherë të mirëmbajtura përkrah disa tabelave që shkruajnë “Mos këpusni lulet”. Të huajt me siguri do kenë pyetur ndonjërin “çfarë shkruhet përbri luleve, lloji i tyre?”. Shqiptarët lulekëputës, na cilësojnë ata ne kur i pyesin për eksperiencën diplomatike në tokën e shqiponjave.

Ashtu e çrregullt, e banuar vrullshëm prej ne të ardhurve apo edhe vendalinjve, Tirana është një mozaik portash. Ngjyra-ngjyra, lloje-lloje. Shkrimi në to është shpesh i njëjti, “Mos parkoni para portës”. Tirana vuan për parkim, e di i madh e i vogël, e dinë dhe portat.

“Mos pështyni në tokë”, është një tabelë e shtuar rishtaz. Teksa ecën në Tiranë sheh po aq njolla pështyme përtokë, sa çamçakëzë të shtypur petë në trotuare, rrugë e vija të bardha. Inatet e një jete të vështirë kryeqytetase duket se kushdo i shkarkon në tokë, duke pështyrë.

Oborret private të thuajse çdo shtëpie në Tiranë janë të pastra, sapo del jashtë tyre, në pronën e përbashkët, gëlojnë mbeturinat në cepat e rrugëve. Duket sikur me çdo kusht duam të shkatërrojmë atë që nuk është e jona. Ndaj, edhe pse të vetëdijshëm mbi një sistem problematik kanalizimesh, ne nëpër lokale ende na thuhet “Mos hidhni letra në WC”.

Mos, pra, mos!

Exit mobile version