Site icon Telegrafi

Katër mitet rreth Gjykatës Speciale të Kosovës

Gjykata Speciale e Kosovës e përbërë nga dy institucione të veçanta (Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës), është themeluar në bazë të legjislacionit dhe ndryshimeve kushtetuese të miratuara nga Kuvendi i Kosovës.

Gjykata do të veprojë në kuadër të sistemit kosovar të drejtësisë, por me vendndodhje në Hagë dhe me staf ndërkombëtar, si dhe do të financohet nga BE. Po ashtu (Gjykata) nuk ka precedent të drejtpërdrejt në Ballkanin Perëndimor apo gjetiu jashtë vendit. Gjykata ka për qëllim të hetojë rastet e krimeve të luftës kundër individëve, të ndërlidhura kryesisht me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e përbërë nga shumica etnike shqiptare gjatë periudhës 1998-2000.

Themelimi i kësaj gjykate duhet të kuptohet në kuadër të një konteksti më të gjerë të ballafaqimit me të kaluarën në Kosovë, ku një numër përpjekjesh kombëtare dhe ndërkombëtare për të adresuar krimet e luftës nuk i përmbushën pritjet. Përderisa puna e saj mund të ofrojë një masë drejtësie për viktimat dhe një formë direkte të llogaridhënies për autorët e krimit, ndikimi i Gjykatës mund të dëmtohet në shkallë të madhe nga perceptimi i kufizuar publik për qëllimin dhe fushëveprimin e saj. Përkundër mbulimit të konsiderueshëm nga mediat, Gjykata Speciale e Kosovës mbetet mjaft e keqkuptuar, si nga liderët e opinionit ashtu edhe nga publiku i gjerë.

Themelimi i gjykatës u përcoll me debate të nxehta. Qeveria insistonte se Kosova duhej të përmbushte obligimet ndaj partnerëve ndërkombëtarë, derisa opozita argumentonte se Gjykata do të jetë e padrejtë ndaj shumicës shqiptare, pasi që ka gjasa të dënohen vetëm individët që ishin anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), dhe si rrjedhojë të dëmtohet reputacioni ndërkombëtar i Kosovës. Andaj ekzistojnë  një numër pritjesh sa i përket Gjykatës dhe asaj se çfarë do të arrihet apo nuk do të arrihet. Këto dinamika duhet të kuptohen po ashtu në një kontekst më të gjerë të tensioneve ndëretnike dhe në raport me konfliktin e pazgjidhur. Prandaj nuk është e habitshme që pritjet rreth qëllimit, mandatit dhe objektivës së Gjykatës janë të ndryshme dhe kundërthënëse.

Këto keqkuptime mund të kontribuojnë në zbehjen e ndikimit potencial pozitiv të Gjykatës në aspektin shoqëror, si dhe mund të nxisin efekte destabilizuese në Kosovë dhe të zhgënjejnë pritjet joreale të atyre për të cilët supozohet se do të përfitojnë nga procesi.

Duke pasur këto parasysh, Integra, Qendra për Paqe dhe Tolerancë, PAX and Impunity Watch, në fillim të këtij viti realizuan një anketë mbarëkombëtare si dhe fokus grupe me qytetarët shqiptarë dhe serbë të Kosovës për të kuptuar më mirë opinionin publik mbi Gjykatën, dhe gjetën keqkuptime shumta sa i përket qëllimit dhe mandatit të Gjykatës. Këto gjetje do të publikohen në raportin e ardhshëm, i cili synon të promovojë perceptim të saktë dhe debat rreth gjykatës, të zbus sfidat që e presin gjykatën dhe mbi të gjitha të rris potencialin e gjykatës për ndikim pozitiv në shoqëri.

Në pritje të këtij raporti ne kemi nënvizuar katër nga mitet kryesore rreth Gjykatës Speciale të cilat mbizotëronin në mesin e pjesëmarrësve të anketës nga të dyja komunitetet, duke ofruar edhe përgjigjet për keqkuptimet thelbësore që kanë të bëjnë me Gjykatën.

Miti 1: Gjykata Speciale e Kosovës do të ndjekë penalisht krimet për korrupsion dhe kapjen e shtetit

Anketat tregojnë se 35.4% e shqiptarëve etnik dhe 18.9% të serbëve etnik besojnë se Gjykata Speciale për Kosovën do të ndjekë penalisht krimet e ndërlidhura me korrupsionin dhe kapjen e shtetit. Ka pasur diskutim të konsiderueshëm në media mbi atë sesi Gjykata do të hetojë zyrtarë që kanë keqpërdorur me asetet shtetërore apo kanë përfituar personalisht nga aferat korruptive.

Fakt: Gjykata Speciale të Kosovës ka për mandat të mbulojë vetëm krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të kryera gjatë periudhës 1998-2000, duke iu referuar raportit të vitit 2011 të shkruar nga senatori zviceran Dik Marty për Kuvendin Parlamentar të Këshillit të Evropës. “Krimet kundër njerëzimit” nënkupton çfarëdo veprimi si vrasje, zhdukje (shfarosja), robërim, deportim, burgosje, torturë, përdhunim, skllavërim seksual, dhe dëbim, kur bëhet si pjesë e një sulmi masiv dhe sistematik të drejtuar kundër çfarëdo popullate civile, duke qenë të informuar për sulmin. “Krimet e luftës” nënkupton shkelje të rënda të Konventës së Gjenevës dhe ligjeve dhe rregullave tjera të zbatueshme në konfliktet e armatosura, duke përfshirë vrasjen, torturën ose trajtimin çnjerëzor, shkatërrimin e pronës, peng-marrjen, dhe deportimin. Në këtë formë, asnjë person nuk do të akuzohet për korrupsion, krime ekonomike, keqpërdorim të aseteve shtetërore, apo forma tjera të kapjes së shtetit; po aq e rëndësishme, asnjë person nuk do të akuzohet për çfarëdo krimi që është kryer pas vitit 2000.

Miti 2: Gjykata Speciale për Kosovën do të përcaktojë nëse UÇK ka qenë organizatë terroriste

Diku rreth një e treta (33.9%) e serbëve etnik dhe një e pesta (17.8%) e shqiptarëve etnik në Kosovë besojnë se Gjykata Speciale për Kosovën do ta gjykojë UÇK-në si organizatë, derisa 29.6% e serbëve etnik dhe 24.4% e shqiptarëve etnik besojnë se Gjykata do t’i gjykojë autorët e krimit si individë dhe UÇK-në si organizatë.

Fakt: Gjykata Speciale për Kosovën ka për mandat të vetëm të sigurojë një proces të rregullt për autorët e krimit si individë, kryesisht ish-anëtarë të UÇK-së, të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. E njëjta nuk do të përcaktojë nëse fushata e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe legjitime, si dhe nuk do të përcaktojë nëse luftëtarët e UÇK-së kanë qenë terroristë apo çlirimtarë.

Miti 3: Gjykata Speciale për Kosovën do të ndjekë penalisht personat e dyshuar për krime lufte nga ish Jugosllavia dhe nga Serbia

Afro gjysma e shqiptarëve etnik (49.6%) dhe serbëve etnik (44.6%), respektivisht, besojnë se mandati i Gjykatës Speciale përfshin hetimin e të gjithë atyre të cilët kanë kryer krime kundër njerëzimit dhe krime lufte gjatë periudhës 1998-2000, pavarësisht etnicitetit të tyre. Për më tepër, 32.8% e shqiptarëve etnik dhe 15% e serbëve etnik besojnë se Gjykata ka mandat të veçantë të ndjekë penalisht krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të kryera nga akterët jugosllavë dhe serbë.

Fakt: Në teori, Gjykata Speciale ka mandat të ngre aktakuzë për individë të çfarëdo përkatësie etnike për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte të kryera gjatë periudhës 1998-2000. Në praktikë, për shkak që Gjykata ka mandat të hetojë vetëm rastet e pretenduara të krimeve nga ana e UÇK-së që janë ngritur në raportin e Dik Martit të vitit 2011, ka pak gjasa që të akuzohen personat e dyshuar për krime lufte të cilët luftuan në kuadër të forcave jugosllave dhe serbe.

Miti 4: Gjykata Speciale do të ndjekë penalisht të gjitha krimet që dyshohet të jenë kryer nga UÇK

Vetëm 3% të serbëve etnik që morën pjesë në fokus grupe besojnë të jenë të njohur me Gjykatën Speciale dhe mandatin e saj, sidoqoftë shumë prej tyre kanë kuptuar se kanë qenë të keqinformuar njëherit kur janë prezantuar me faktet relevante. Pothuaj se të gjithë këta respondentë, për shembull, kanë besuar se Gjykata ka mandat të ndjekë penalisht të gjitha krimet që dyshohet të jenë kryer nga UÇK-ja. Shumica e pjesëmarrësve kanë përmendur krimet individuale ndaj popullatës pakicë që janë kryer pas qershorit 1999 dhe disa krime të rënda siç është rasti Gorazhdevcit në vitin 2003, dhe rasti i familjes Stoliq në vitin 2003, me pritjet se Gjykata do të hetojë dhe gjykojë personat përgjegjës.

Fakt: Në gusht të vitit 2015, Kosova ka miratuar legjislacionin që themeloi Zyrën e Prokurorit të Specializuar (“SPO”) për të hetuar dhe ndjekur penalisht krimet e rënda ndër-kufitare dhe ndërkombëtare të cilat ndodhën gjatë dhe si rrjedhojë e konfliktit të Kosovës në periudhën 1998-2000. Ligji për themelimin e Gjykatës Speciale të Kosovës e mandatoi atë të hetojë dhe gjykojë ato krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të identifikuara në raportin e Martit—të gjitha rastet tjera të krimeve kundër popullatës civile që ndodhën si pasojë e konfliktit 1998-99 do të trajtohen ekskluzivisht nga gjyqësori i Kosovës dhe EULEX.

Për të ngritur kapacitetin e gjykatës për një ndikim pozitiv shoqëror është kyçe që shoqëria të ketë njohuri dhe pritje reale rreth qëllimit dhe mundësive të gjykatës. Mitet si këto e shtrembërojnë dialogun dhe debatin publik, duke u bërë kështu një pengesë për angazhim të mirëfilltë me punën e Gjykatës dhe rezultatet e saj. Prandaj është e rëndësishme që qytetarët të pajisen me informata të sakta dhe që mitet e ngjashme të demaskohen në përgatitje për aktakuzat e para nga Gjykata. Andaj, autoritetet kosovare, komuniteti ndërkombëtar dhe Gjykata Speciale për Kosovën duhet të bashkëpunojnë për të ofruar një program të gjithëmbarshëm dhe gjithëpërfshirës të informimit publik dhe komunikimit që i trajton këto mite si dhe dezinformatat e tjera në lidhje me Gjykatën. Nëse edhe këto përpjekje dështojnë, rrezikohet të përkeqësohen tensionet brenda dhe jashtë  komunitetit, dhe si rrjedhojë të ketë destabilizim në Kosovë si dhe të rrezikohet dialogu mes Kosovës dhe Serbisë i fasilituar nga BE-ja.

Autorë të këtij shkrimi janë: Michael Warren – PAX, Kushtrim Koliqi -Integra, Nenad Maksimoviç – CPT, Marlies Stappers – IW. Hulumtimi i këtyre autorëve pritet të publikohet në fund të këtij muaji.

 

Exit mobile version