Telegrafi

Katër mijë persona në Gostivar janë të prekur nga gripi

Gripi sezonal në Maqedoni dita ditës vetëm po zgjerohet në më shumë komuna. Ajo e fundit e cila ka arritur kulminacionin dhe për pasoja gjendja është alarmues është Komuna e Gostivarit. Institucionet shëndetësore njoftojnë për mbi katër mijë persona të prekur nga gripi sezonal. Vetëm në Ndihmën e Shpejtë brenda shtatë ditëve të kaluara janë drejtuar për ndihmë mjekësore 2060 pacientë, kurse në ambulancat në vendbanimet e tjera edhe rreth 1000 të tjerë, njofton gazeta Koha.

Nga qendra epidemologjike në Gostivar, flasin për shifra plotësuese. Vojisllav Ognjanovski, përgjegjësi i Entit Epidemiologjik në Gostivar për gazetën Koha, tha se brenda javës së fundit të muajt dhjetor, u regjistruan 914 pacientë të prekur nga gripi sezonal, kurse nga fillimi i sezonit të gripit në evidencat e kësaj qendre janë evidentuar 1472 persona.

Ognjanovski thotë se fluksi i infeksioneve respiratore të rrugëve të frymëmarrjes, rrezikon të shtohet ndaj nevojiten masa permanente për të shmangur komplikimet që sjell gripi, duke shtuar se gripin me të gjitha karakteristikat e tij, e presin gjatë periudhës së ardhshme kur dhe paralajmërohet rënie e temperaturave.

Ai thotë se befasi nuk paraqet aspak rritja eventuale e numrit të personave që vuajnë nga sëmundjet të rrugëve të sipërme të organeve të frymëmarrjes, pasi këto sëmundje vijnë në një kohë normale për periudhën e vitit në të cilën kalojmë. Pikërisht janari dhe shkurti, llogariten si dy muajt me kushte të volitshme për shtimin e rasteve të përhapjes së gripit, andaj kërkohet përkushtim maksimal nga ana e qytetarëve. Kompetentët thonë që gjendja do të ishte ende më alarmante sikur dyert e shkollave të ishin të hapura.