Ballkani do të përballet sot (e martë) me Larne në kuadër të Ligës së Konferencës nga ora 20:45 në “Fadil Vokrri”, derisa u zhgënjyen në raundin e parë kualifikues për në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, duke u mposhtur nga Ludogorets.
Takimi me skuadrën bullgare pritet që të lë edhe më tej shije të hidhur për kampionin e Kosovës, pasi tani kanë shfaqur interesim për lojtarë të tyre.
Pas shitjes së Ermal Krasniqit te Cluj në janar të këtij vitit, Ballkani mund të mbetet edhe pa disa yje të tjerë në këtë afat kalimtar veror, dhe kjo u paralajmërua edhe nga trajneri Ilir Daja në konferencën për media para ndeshjes me Larne.
“Janë disa lojtarë që janë në fokusin e klubeve evropiane. Jo vetëm Ludogoretsi, por edhe disa klube të tjera”, ka thënë fillimisht strategu i skuadrës nga Suhareka.
“Për një vit e gjysmë kemi fituar dy tituj të kampionit dhe kemi bërë shitjen e parë të Ermal Krasniqit si klub. Si klub presim përfitime të tjera nga Krasniqi”.
“Por, janë edhe tre apo katër lojtarë të tjerë që janë në radarin e klubeve evropiane. Është edhe Korenica që është këtu me mua”.
“Rrahmani po ashtu, i cili ka qenë golashënuesi më i mirë i Superligës. Emërllahu, të cilit pas ndeshjes shumë drejtues të Ludogoretsit ia kanë dhënë numrin për t’i kontaktuar. Është edhe Gripshi dhe të mos përmendi emra të tjerë”.
“Ne duhet të ndjekim rrugën që krahas suksesit në kampionat, të kemi edhe shitje të lojtarëve për të pasur garanci financiare”, ka shtuar më tej Daja.
Nëse Ballkani shet disa prej lojtarëve të tyre, atëherë me gjasë do të përdorin strategjinë e shitjes së Krasniqit te Cluj.
Malishevasi lidhet me një kalim në Korenë e Jugut dhe në Arabinë Saudite, ndërsa kampioni i Kosovës ka ruajtur 15 për qind të kartonit të tij për shitjen e radhës, që është përfshirë në klauzolën me klubin rumun.
Më herët është raportuar se Cluji ka shprehur interesim edhe për Meriton Korenicën, por prapa nuk mbeten as klubet Konyaspor dhe Hatayspor./Telegrafi/