Telegrafi

Katër konsorciume në garë për termocentralin, CEZ nuk konkuron

Komiteti drejtues për Termocentralin “Kosova e re” njoftoi sot se katër konsorciume ndërkombëtare, nga gjashtë sa kanë aplikuar për këtë projekt, i kanë përmbushur kriteret për ndërtimin e këtij termocentrali. Përfaqësues të komitetit janë shprehur të kënaqur me interesimin e treguar për projektin.

Drejtuesja e komitetit, ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka Pula, tha se Qeveria është shumë e kënaqur me interesimin e këtyre kompanive. Ajo theksoi se deri në fund të prillit pritet të nxirret drafti i tenderit, kurse deri në korrik do të përfundojnë të gjitha negociatat për përzgjedhjen e kompanisë që do të ndërtojë termocentralin.

“Është kënaqësi që në këtë krizë ekonomike globale dhe në kuadër të ndryshimeve që kemi pasur në projekt, është paraqitur një numër i konsiderueshëm i kompanive dhe një numër i kompanive që kanë kredibilitet në botë”, tha Shiroka Pula.

Ministrja e Energjisë dhe Minierave po ashtu bëri të ditur se në mesin e këtyre kompanive janë edhe dy kompani që kanë shprehur interes edhe më herët: AES nga SHBA-të dhe PPC nga Greqia, por që tani janë në konsorcium me kompani të tjera.

Shiroka Pula shprehu bindjen se ky projekt nuk do të dështojë, por do të vazhdojë me një ritëm të sigurt.

“Dizajnimi i paketës është shumë më i afërt me nevojat e Kosovës dhe shumë atraktiv për investitorët, në krahasim me paketën që ka qenë herën e kaluar. Paketa që ka qenë herën e kaluar, ka qenë me disa kritere që nuk kanë qenë të aplikueshme dhe të mundshme të realizohen në Kosovë”, tha ajo.

Prodhimi i energjisë elektrike prej linjitit vlerësohet jetik për përmirësimin e gjendjes së rëndë energjetike në Kosovë. Ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re” pritet që të fillojë të ndërtohet në vitin 2011.

Termocentrali parashihet t’i ketë fillimisht 500 megavate, me mundësi të shtimit edhe të 500 megavateve të tjera. Kostoja e ndërtimit llogaritet të shkojë deri në një miliard euro, shumë kjo që do të bashkëfinancohet nga Qeveria dhe kompania fituese. /rel/