Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës sot publikoi aktgjykimin në rastin e parashtruar nga “Abrazen LLC”, “Energy Development Group Kosova LLC”, “Alsi & Co. Kosovë LLC” dhe “Building Construction LLC”, në të cilën u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës të 23 korrikut 2020.
Sipas këtij aktgjykimi kompanitë në fjalë kanë fituar betejën gjyqësore në Kushtetuese ndaj Sami Kurteshit.
“Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një Vendim të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike, për caktimin e tarifave nxitëse për prodhimin e energjisë elektrike nga panelet solare/fotovoltaike, sipas të cilit, aplikuesit përkatës ishin pajisur me autorizime preliminare dhe ishin në listën e pritjes për t’u informuar për përfshirjen në skemën mbështetëse për caqet e disponueshme. Parashtruesit e kërkesës ishin në këtë kategori. Kundër këtij vendimi të ZRrE-së, Sami Kurteshi, parashtroi padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, përmes të cilës, kërkoi (i) anulimin e vendimit të lartcekur të ZREE-së; dhe (ii) shtyrjen e ekzekutimit të të njëjtit, deri në vendosjen e çështjes kontestuese në mënyrë meritore, duke pretenduar se si pasojë e këtij Vendimi, do të mund të shtrenjtohej energjia elektrike, prandaj si konsumator i energjisë elektrike atij do të i shkaktohej dëm i pariparueshëm”.
Gjykata Themelore, aprovoi si të bazuar kërkesën për shtyrje të ekzekutimit të vendimit deri në marrjen e vendimit gjyqësor përfundimtar.
Gjykata Kushtetuese ka “rrëzuar” aktgjykimet e shkallëve paraprake të gjykatave dhe e ka kthyer lëndën në rishqyrtim.
“Përfundimisht, bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktgjykimin e publikuar, Gjykata konstatoi se, vendimet e gjykatave të rregullta, janë nxjerrë në kundërshtim me garancitë procedurale të përcaktuara me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për shkak të mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësor, duke e kthyer çështjen për rishqyrtim në Gjykatën Themelore”, thuhet ndër të tjera në vendim./Telegrafi/